Lidhje

Tre persona në Bruklin akuzohen për terrorizëm


Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj tre personave për mbështetje të militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe luftë kundër Shteteve të Bashkuara. Akuzat ndaj dy uzbekasve dhe një kazaku u regjistruan dje pranë një gjykate federale në Nju Jork.

Dy persona nga Uzbekistani u paraqitën dje para gjykatësit federal në Bruklin. Autoritetet e Nju Jorkut thanë se seanca dëgjimore për personin tjetër nga Kazakistani u zhvillua në shtetin e Floridës. William Bratton është komisioner i policisë së Nju Jorkut.

“Dy individët po përpiqeshin të shkonin në Siri. Njëri u arresua në aeroportin JFK në Nju Jork ndërsa po përpiqet të hipte në avion. Tjetri priste të merrte një avion të mëvonshëm. Ai u arresua në shtëpinë e tij në Bruklin. Një person i tretë që besohet se ndihmoi në organizimin dhe financimin e udhëtimit për dy të tjerët u arresua në Xhaksonvill të shtetit Florida.”

Që të tre personat banojnë në Bruklin dhe kishin leje të përhershme qëndrimi në Amerikë. Zyrtarët thanë se postimet e tyre në median sociale tërhoqën vëmendjen e policisë:

“Në bazë të akuzave, ideja doli qartë në deklaratat e tyre se nëse nuk do të mund të shkonin, do të përpiqeshin të gjenin armë të ndryshme këtu dhe të godisnin, kryesisht punonjës të policisë.”

Një prej tre të dyshuarve akuzohet për kërcënime kundër presidentit amerikan Barack Obama.

Zyrtarët amerikanë thonë se autoritetet i marrin seriozisht këto kërcënime. FBI-ja thotë se grupe dhe individë radikalë e përdorin median sociale për të komunikuar dhe dërguar mesazhe. Diego Rodrigues punon për Byronë Federale të Hetimeve.

“Jemi një prej agjencive të rendit që mbledh të dhëna dhe i ndan ato me agjencitë e tjera. Ne veprojmë me shpejtësi kur vëmë re diçka që pritet të ndodhë.”

Arrestimet në Bruklin kanë ngjallur shqetësime në komunitetin uzbek të Nju Jorkut. Shumë prej tyre druhen se do të bëhen objekt i vëmendjes së padëshiruar. Avokati mbrojtës, Adam Perlmutter, i kundërshton disa prej metotave të përdorura nga autoritetet për të identifikuar grupet radikale dhe hierarkinë e tyre.

“Nëse akuzat janë ato që thuhen, qeveria amerikane duhet të provojë një tjetër mënyrë qasje ndaj myslimanëve që mund të tërhiqen drejt radikalizmit.”

Shteti Islamik ka joshur të rinj nga shumë shtete perëndimore dhe arabe. Sipas llogaritjeve rreth 20 mijë të huaj kanë shkuar në Siri për t'u bashkuar me këtë grup, të njohur për barbarizmat dhe mizoritë në territoret që kontrollon.

Zyrtarët amerikanë pranojnë se Shteti Islamik ka vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara përmes një fushate propagandistike masive.

XS
SM
MD
LG