Lidhje

Thatcher dhe fundi i Luftës së Ftohtë


Shërbimet e përmortshme për ish kryeministren britanike, Margaret Thatcher do të zhvillohen të mërkurën në Londër. Shumë ekspertë dhe historianë po diskutojnë trashëgiminë e saj, veçanërisht në arenën ndërkombëtare. Në materialin në vazhdim, analizohet roli i saj në përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Ekspertët thonë se Margaret Thatcher do të mbahet mend më shumë për politikat e ashpra ekonomike të tregut të lirë që zbatoi gjatë pushtetit të saj 11 vjeçar nga viti 1979 deri më 1990-tën, për të cilat mund të thuhet se hodhën themelet e një revolucioni ekonomik në Britani.

Por ajo luajti një rol të rëndësishëm edhe në skenën ndërkombëtare, veçanërisht në një kohë tensionesh të luftës së ftohtë mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.
Historiani britanik i Partisë Konservatore, Tim Bale, thotë se zonja Thatcher ishte udhëheqësja e parë perëndimore që arriti në përfunimin se Mihail Gorbaçovi mund të ishte një tip tjetër politikani sovjetik.

“Kur erdhi në detyrë në vitin 1979, ajo mbajti një qëndrim shumë të ashpër anti komunist dhe nuk donte të kishte asnjë lidhje me udhëheqjen sovjetike. Por ajo e kuptoi që në fillim se Mihail Gorbaçovi ishte ndryshe dhe vendosi marrëdhënie me të, edhe pse disa njerëz mendonin se ajo ishte naive”.

Në dhjetor të vitit 1984, tre muaj para se zoti Gorbaçov të bëhej udhëheqës i Bashkimit Sovjetik, ai shkoi në Londër si kryetar i një delegacioni parlamentar. Ai u ftua në takim me Margaret Thatcher-in, e cila më pas u shpreh: “ky është një njeri me të cilin ne mund të bëjmë biznes”.

Eksperti i çështjeve ruse në Kolegjin Mount Holyoke, Stephen Jones thotë se këto fjalë të zonjës Thatcher ishin kritike.

“Po lexoja një artikull që Gorbaçovi shkruajti pas vdekjes së Margaret Thatcherit, në të cilin ai thotë se ajo frazë e zonjës Thatcher e ndihmoi atë që të fitonte një besim më të madh tek udhëheqësit perëndimorë: nëse Margaret Thatcher mund të bënte biznes me të, atëhere udhëheqësit e tjerë evropianë, e natyrisht edhe udhëheqja amerikane, mund të bënin biznes me të. Pra ky ishte një hap i rëndësishëm në përgatitjen e botës për Mihail Gorbaçovin”.

Zonja Thatcher kishte gjithashtu marrëdhënie shumë të mira me Presidentin Ronald Reagan. Disa ekspertë i kanë cilësuar ata si dy njerëz me “origjinë të njëjtë politike”.
Ish këshilltari i sigurisë kombëtare në administratën e Presidentit Reagan, Richard Allen, u takua shumë herë me zonjën Thatcher.

“Unë e konsideroj atë si një prej njerzve më të mrekullueshëm të shekullit. Ajo ishte shumë e dedikuar dhe shumë inteligjente. Një njeri me parime, të cilën shumica e amerikanëve e admironin. Ajo ishte e sinqertë dhe e ngrohtë, por gjithnjë serioze. Dhe këto veti të saj ishin arsyet që Ronald Reagani mbështeste të gjitha politikat e saj të bredshme dhe të jashtme”.

Historiani Tim Bale e përforcon këtë argument.

“Bashkë me Ronald Reaganin, zonja Thatcher luajti një rol shumë të rëndësishëm në shtimin e shpenzimeve të mbrojtjes, që më në fund çuan në falimentimin e Bashkimit Sovjetik, madje duke e detyruar këtë vend të tërhiqej nga dominimi i Evropës lindore dhe qëndrore dhe më pas në vetë shpërbërjen e plotë të tij”.

Ndërsa zonja Thatcher dhe Ronald Reagani ishin të një mendimi lidhur me marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ajo nuk pajtohej me Presidentin George H.W. Bush lidhur me ribashkimin e Gjermanisë.

Gjenerali në pension, Brent Scowcroft ishte këshilltar i sigurimit kombëtar të zotit Bush.

“Ne dhe kancelari i Gjermanisë Peërndimore, Helmut Kohl dhe shumica e gjermanëve ishin në favor të ribashkimit të Gjermanisë. Bashkimi Sovjetik dhe Franca nuk e donin një gjë të tillë. Ndërsa kryeministrja britanike, Margaret Thatcher tha: ‘E dua aq shumë Gjermaninë sa që mendoj se duhet të kemi dy Gjermani.’ U desh një veprim i balancuar për të menaxhuar këtë process, i cili përfundoi në ribashkimin e Gjermanisë, megjithëse shumica e fuqive të botës nuk ishin në favor të tij”.

Robert Legvold i Universitetit Columbia thotë se zonja Thatcher shqetësohej rreth fuqisë së një Gjermanie të bashkuar brënda Evropës.

“Gjermanët e dinin se si britanikët edhe francezët ishin nervozë rreth perspektivës së ribashkimit të Gjermanisë, megjithatë zonja Thatcher ishte pragmatike. Kur procesi i ribashkimit filloi dhe u duk qartë drejtimi i tij, zonja Thatcher nuk ishte një njeri që do ta pengonte atë”.

Ekspertët janë dakord se zonja Thatcher ishte një udhëheqëse e madhe e shekullit të 20-të, dhe ashtu siç u shpreh edhe gazeta “Financial Times”, ajo “mbetet figura me të cilën duhet të krahasohen udhëheqësit e ardhshëm britanikë”.
XS
SM
MD
LG