Lidhje

Londër, funeral madhështor për Zonjën e Hekurt


Në katedralen e Shën Palit në Londër u zhvillua ceremonia mortore për ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ceremonia u mbajt në praninë e Mbretëreshës Elisabeth, të personaliteteve nga e gjithë bota dhe gjithë kryeministrave të tjerë britanikë që pasuan Zonjën e Hekurt.

Kryeministres së parë grua të Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, iu rezervua një funeral me nderime të plota ushtarake.

Arkivoli me trupin e zonjës Thatcher u soll në Katedralen e Shën Palit me një procesion solemn, i vendosur mbi një shtrat topi të tërhequr nga gjashtë kuaj të zinj.
Në rrugët ku kaloi procesioni sot mbretëronte qetësia.

Nën masa të rrepta sigurie, në Katedralen e Shën Palit ishin mbledhur më shumë se 2,300 të ftuar. Mes tyre kishte rreth 30 anëtarë të kabineteve të drejtuar nga Zonja e Hekurt mes viteve 1979 dhe 1990, duke përfshirë lordët Heseltine dhe How, të cilët e sfiduan zonjën Thatcher, duke çuar më në fund në largimin e saj nga pushteti.

Në ceremoni morën pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit të tanishëm të kryesuar nga Kryeministri David Cameron. Në Katedrale erdhi edhe Mbreteresha Elisabeth me bashkëshortin, Princin Philip.

Mes pjesmarrësve ishin 11 kryeministra dhe dy krerë shtetesh nga e gjithë bota. Ndodheshin gjithashtu ish-Sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger dhe ish-nënpresidenti amerikan Dick Cheney.

Por ra në sy mungesa e ish-udhëheqësit sovjetik Michail Gorbaçov dhe e zonjës Nancy Reagan, e veja e Presidentit amerikan Ronald Reagan, aleati i madh i zonjës Thatcher, të cilët nuk ndodheshin për arësye shëndetësore.

Disa mungesa të tjera në listën e të ftuarve u bënë shkak për zëra se mospjesmarrja ishte për arsye diplomatike. Një zëdhënës i Kryeministrit Cameron mohoi se Shtetet e Bashkuara po tregonin mospërfillje duke mos dërguar ndonjë zyrtar të lartë të kabinetit Obama.

Kur arkivoli arriti në katedrale, në krye të procesionit ecnin nipi dhe mbesa e Baroneshës Thatcher, Michael dhe Amanda.

Qëllimisht, në fjalimin e tij Peshkopi i Londër, Richard Chartres, nuk foli për trashëgiminë politike të Zonjës Thatcher por tha se ceremonia mortore ishte një vend ripajtimi ku flitet për të vërtetat e thjeshta që e kapërcejnë debatin politik.

Por jashtë Katedrales atmosfera u kujtoi njerëzve ndarjet e hidhura politike gjatë viteve të Thacherit, kur një numër protestuesish iu afruan procesionit.

Disa prej tyre shprehnin zemërim për koston e lartë të ceremonive mortore që thuhet se kapnin 10 milion stërlina, megjithëse sipas zyrtarëve, shifra e vërtetë ishte shumë më e vogël.

Ndonëse Zonjës Thatcher nuk iu rezervua funeral shtetëror si Winston Churchillit në vitin 1965, një pompozitet i tillë nuk është parë në Londër që nga vdekja e Nënës Mbretëreshë në vitin 2002.

Zoti Cameron tha se ceremonia ishte një nderim i merituar për një figurë të madhe kombëtare, kryeministrja e cila qëndroi më gjatë se askush tjetër në këtë post gjatë shekullit të 20.

Zonja Thatcher vdiq javën e kaluar në moshën 87-vjeçare.
XS
SM
MD
LG