Lidhje

Shtëpi të printuara në 3D


Sipas Institutit Global McKinsey, rreth një e treta e njerëzve që jetojnë në qytetet e botës banojnë në shtëpi me standarte të ulëta. Shkencëtarët mendojnë se ky problem mund të zgjidhet nëpërmjet planimetrive falas në internet për ndërtimin e shtëpive me pjesë të parafabrikuara që përputhen plotësisht me njëra-tjetrën.

Popullsia e botës pritet të arrijë në mbi 8 miliardë deri në vitin 2030 dhe çështja e strehimit në qendrat urbane është që tani një problem madhor. Ndërtimi i shtëpive sipas mënyrës tradicionale kërkon ende javë ose muaj të tërë.

Në një lagje të Londrës, një grup vullnetarësh po ndërton shtëpitë e quajtura Wiki House, të përbëra nga panele kompensate dhe pjesë të prodhuara paraprakisht. Të gjitha pjesët janë prodhuar nëpërmjet një kompjuteri dhe bazuar në një planimetri të disponueshme falas në internet.

Bashkëthemeluesi i Fondacionit WikiHouse me qendër në Britani, arkitekti Alastair Parvin, thotë se kjo mund të jetë zgjidhja për strehimin.

“WikiHouse përmbledh një sërë teknologjish që synojnë të thjeshtojnë proçesin e ndërtimit të shtëpive, sa që gjithkush mund ta bëjë vetë. Për ta arritur këtë, po përdorim fuqinë e internetit dhe të teknologjive të prodhimit dixhital si printimi 3D.”

Prerja preçize mundëson përputhshmëri perfekte të të gjitha pjesëve, gjë që përshpejton proçesin e montimit. Nuk nevojiten vegla të posaçme.

Wiki House u ndërtua në 10 ditë për qëllime demonstrimi. Më pas, u çmontua dhe i rindërtua diku tjetër për t’u përdorur plotësisht.

Zoti Parvin thotë se i gjithë koncepti është i bazuar në planimetri të disponueshme në internet.

“Programe kompjuterike falas janë tashmë të disponueshme dhe përbëjnë bazën e programeve që përdorim ne. Ajo që po ndodh është se tani kjo po përkthehet në sende të prekshme; pra, ne po ndërtojmë një lloj enciklopedie Wikipedia të sendeve.”

Zoti Parvin thotë se projekti është në fazën e tij fillestare, me disponueshmëri ende të kufizuar. Megjithatë, ai mendon se projekti do të rritet ndërkohë që më shumë njerëz do të jenë të interesuar për ndërtim shtëpish, montimi i të cilave nuk kërkon aftësi të veçanta.

XS
SM
MD
LG