Lidhje

Trump dhe Clinton ruajnë kryesimin e garës


Miliarderi Donald Trump i është afruar më shumë marrjes së nominimit të Partisë Republikane pas fitoreve në zgjedhjet paraprake në Louisiana dhe Kentucky. Në kampin demokrat, Hillary Clinton zgjeroi avantazhin ndaj Bernie Sanders, megjithë fitores së tij në dy shtete.

Pas fitoreve të së shtunës, Donald Trump i bëri thirrje Senatorit Marco Rubio të lërë garën.

“Ishte një ditë shumë e keqe për Marco Rubio. I bëj thirrje ta lërë garën. Mendoj se ka ardhur koha. Sa herë del i treti apo i katërti, thotë se do të fitojë, por nuk ja ka dalë mbanë, prandaj duhet të largohet. Do të doja shumë të përballesha tek-e-tek me Tedin. Do të ishte shumë argëtuese.”

Senatori i Teksasit, Ted Cruz, rezulton rivali më i afërt i zotit Trump, pasi fitoi zgjedhjet paraprake në Maine dhe në Kansas dhe doli i dyti në dy shtete të tjera.

“Jam shumë i inkurajuar, pasi nëse vazhdojmë të bashkuar, do ta fitojmë nominimin, do të fitojmë edhe zgjedhjet e përgjithshme duke mundur Hillary Clinton, dhe do ta orientojmë vendin në drejtimin e duhur.”

Edhe zoti Cruz i bëri thirrje zotit Rubio të ndërpresë fushatën, në mënyrë që të fillojë përballja me zotin Trump.

“Vetëm unë nuk i kam bërë thirrje kandidatëve të tjerë të lënë garën. Nga zgjedhjet në Florida do të dalin më shumë delegatë se nga të gjithë shtetet që votuan këtë fundjavë. Sidoqoftë, ne tashmë kemi siguruar më shumë delegatë se ç’kishim.”

Marco Rubio, i cili mendohej si alternativa nga brenda Partisë Republikane ndaj zotit Trump, rezultoi i treti në të gjitha shtetet, përveç se në Maine, ku doli i katërti pas Guvernatorit të Ohios, John Kasich.

Në kampin demokrat, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton fitoi në Louisiana dhe rriti avantazhin ndaj Senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, pavarësisht se ai fitoi në dy shtete, në Kansas dhe Nebraska. Zoti Sanders ka premtuar ta vazhdojë garën deri kur të mbahet konventa demokrate në muajin korrik, ndërkohë që do të përballet në mbrëmje me zonjën Clinton në një debat televiziv në Michigan.

Sot vazhdojnë zgjedhjet për demokratët në shtetin Maine, ndërsa republianët votojnë në territorin amerikan Puerto Rico.

Të martën, të dyja partitë zhvillojnë zgjedhje në Michigan dhe në Mississippi, ndërsa Idaho dhe në Hawaii do të votohet vetëm për republikanët.

XS
SM
MD
LG