Lidhje

Sanders, Trump fitojnë në Nju Hempshër


Dy kandidatë që nuk janë politikanë tradicionalë, republikani Donald Trump dhe demokrati Bernie Sanders, ishin fituesit e mëdhenj dje në garat praprake zgjedhore brenda partive, një nga provat e para për kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara. Edhe për Guvernatorin e Ohajos, John Kasich, ishte një ditë e rëndësishme, pasi doli i dyti pas zotit Trump në garën republikane. Rezultatet lënë të kuptohet se fushata do të jetë e gjatë dhe e hidhur për të dyja garat për emërimin e kandidatëve.

Për republikanin Donald Trump, ishte një moment triumfues.

Pasi doli në vend të dytë në garën e Iowa-s, i vetëquajturi jo politikan, që njihet për të folurin pa doreza, shijoi fitoren në New Hampshire.

“Ne do të fitojmë përsëri dhe do të fitojmë gjithandej, ju do të ngeleni të kënaqur Amerikën do ta bëjmë madhështore përsëri, më madhështore edhe se më parë. Ju dua të gjithëve”.

Por befasia në garën e republikanëve ishte që guvernatori i Ohajos, John Kasich doli në vend të dytë.

“Kjo fushatë ka marrë një fuqi magjike, sepse ne nuk e shohim thjesht si një fushatë të radhës, e shohim si një mundësi për të gjithë ne, për të qenë pjesë e diçkaje që është më e madhe se ne vetë, për të ndryshuar Amerikën”.

Beteja politike ishte e ashpër për vendin e tretë, duke filluar nga fituesi i garës në Iowa, Ted Cruz, ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush dhe Senatori nga Florida, Marco Rubio.

Në garën mes demokratëve, Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders siguroi një fitore të rëndësishme ndaj ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

“Qeveria e këtij vendi të mrekullueshëm, u takon të gjithëve dhe jo thjesht një grupi të vogël që kontribuon tek fushatat dhe komitetet që mbështesin kandidatët”.

Zonja Clinton u bëri thirrje simpatizantëve të saj që ta hedhin vështrimin tek garat e ardhshme ku ajo është e favorizuara.

“Ju jeni arsyeja që jemi këtu dhe ju jeni arsyeja që ne do të fitojmë kandidimin dhe që do të fitojmë këto zgjedhje së bashku. Ju falenderoj të gjithëve”.

Në gjithë shtetin New Hampshire, votuesit mbushën qendrat e votimit. Në njërën prej tyre, simpatizantët e zotit Trump ishin të mobilizuar.

“Nuk është një konservator në kuptimin tradicional të fjalës, por unë besoj plotësisht se ai e do vendin dhe mund t’ia tregojë vendin medias”.

Edhe përkrahësit e Senatorit Sanders, treguan entuziazmin.

“Bota do ta pëlqente atë dhe është e rëndësishme për Amerikën që të ketë një udhëheqës që mendon për ne”.

Dhe përkrahësit e zonjës Clinton.

“Dy kandidatë të mrekullueshëm, por zonja Clinton ka më shumë përvojë”.

Pas garës në New Hampshire, kandidatët shkojnë tani në Karolinën e Jugut dhe Nevada. Dhe atyre republikanëve që dolën të fundit, do t’u duhet të rivlerësojnë ambicjet e tyre presidenciale.

XS
SM
MD
LG