Lidhje

Turqi: Arrestime pas aksidentit në minierë


Policia në Turqi ka ndaluar 24 persona, mes tyre 9 ekzekutivë miniere, në kuadrin e një hetimi që ka filluar lidhur me tragjedinë që ndodhi të martën e kaluar në një minierë të perëndim të vendit. Operacionet e shpëtimit përfunduan sot, pas nxjerrjes së trupave të dy punonjësve të fundit, duke e çuar në 301 vetë numrin e të vdekurve.

Dhjetra prokurorë janë caktuar të hetojnë shkakun e shpërthimit në minierë.
Fatkeqësia ndodhi të martën e kaluar, pasi një shpërthim i vogël shkaktoi zjarr në minierën e qymyrgurit në qytetin Soma. Në kohën e shpërthimit nën tokë ndodheshin rreth 800 minatorë. Shumë prej viktimave mendohet të kenë vdekur për shkak të helmimit nga gazi karbonik dhe nga asfiksia.

Një raport paraprak për aksidentin, i siguruar nga gazeta turke “Milliyet”, tregonte se në minierë ka patur disa shkelje të rregullave të sigurisë, si mungesa e detektorëve të diosksidit të karbonitsi dhe tavanët prej druri në vend të atyre prej metali.

Ky aksident shkaktoi protesta në mbarë Turqinë, ku pjesëmarrësit i akuzuan qeverinë dhe pronarët e minierave për neglizhimin e kushteve të sigurisë në minera. Zyrtarët e minierës i kanë mohuar këto thënie.
XS
SM
MD
LG