Lidhje

Koalicioni qeverisës në Turqi


Parlamenti i Turqisë, i dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, u çel të martën me një ceremoni betimi të deputetëve të sapozgjedhur. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, ose AKP, e humbi shumicën parlamentare në zgjedhje dhe përpjekjet për të krijuar një koalicion kanë filluar me intensitet. Me një luftë civile në Sirinë fqinjë dhe shqetësimet ekonomike në rritje, dy partitë më të mëdha të vendit janë nën presion për të krijuar një koalicion të madh.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan pritet t’i japë udhëheqësit të AKP-së, Ahmet Davutoglu mandatin për të formuar një qeveri koalicioni. Megjithëse partia e humbi shumicën absolute më 7 qershor, ajo mbetet partia më e madhe në parlament. Media ka njoftuar se AKP-ja mund të ketë arritur një marrëveshje me Partinë e Veprimit Nacionalist, MHP të ekstremit të djathtë.

Yuksel Taskin, ekspert i shkencave politike në Universitetin Marmara të Stambollit thotë se një koalicion i tillë do të ishte më i thjeshti për t’u krijuar, meqenëse dy partitë kanë baza të ngjashme përkrahësish.

"Rezultati më i mundshëm do të ishte një koalicion mes AKP-së dhe MHP-së, një koalicion ose një qeveri pakice nga AKP me mbështetjen e MHP-së”.

Megjithatë MHP-ja vazhdon të kundërshtojë me forcë bisedimet e paqes me grupin kryengritës kurd, PKK. Analistët paralajmërojnë se ndërprerja e përpjekjeve të paqes mund ta zhysë vendin përsëri në konfikt të armatosur, ose të paktën mund të sjellë trazira të thella sociale që do të do të shkaktonin një goditje tjetër të fortë ndaj ekonomisë së brishtë të vendit. Duke pasur këto faktorë parasysh, analistët dhe udhëheqësit e biznesit po bëjnë thirrje për një koalicion të madh mes AKP-së dhe partisë kryesore të opozitës, së qendrës së majtë, ajo Republikane Popullore, CHP.

Kadri Gursel, një analist politik i gazetës turke Milliyet dhe faqes së internetit Al-Monitor, thotë se ka arsye të forta për thirrjet për “një koalicion të madh”.

"Cdo koalicion mes CHP-së dhe AKP-së do të ketë një bazë sociale më të gjerë dhe do t’i lehtësohë tensionet në vend. Dhe ky koalicion do të kufizojë gjithashtu pushtetin e zotit Erdogan. Presidenti nuk do të mundë më të imponojë vullnetin e tij mbi AKP-në. Një koalicion AKP-CHP do të krijojë shanse për rifreskimin dhe reforminin e AKP-së”.

Por ka gjithashtu pengesa të mëdha ndaj këtij koalicioni. Dy partitë kanë qenë rivalë të ashpër ideologjikë, falë faktit që AKP-ja ka rrënjë islamiste dhe CHP-ja është partia e themeluesit të shtetit laik turk, Mustafa Ataturkut. Megjithëse CHP-ja ka filluar të mos i nxjerrë në pah rrënjët e saj laike, akuzat për korrupsion tek AKP-ja mbeten pengesa më e madhe e një koalicioni AKP-CHP.

Në dhjetor 2013, qeveria e atëherëshme e AKP-së u godit nga hetime të mëdha për korrupsion që implikonin ministra me peshë dhe familjet e tyre, përfshirë zotin Erdogan që ishte atëherë kryeministër. Por hetimet u ndërprenë dhe AKP-ja i denoncoi ato si një tentative “grushti shteti gjyqësor”.

Cengiz Aktar, ekspert shkencash politike në universitetin Suleyman Sah të Stambollit, paralajmëron se akuzat për korrupsion kërcënojnë çdo qeveri të ardhshme me AKP-në.

"Nuk ka dyshim që Turqia po hyn në një periudhë kaotike përsa i takon krijimit të qeverisë. Turqia do të ketë vështirësi të jashtëzakonshme të ketë një qeveri të fuqishme, nëse kjo parti nuk spastron dosjet e mëdha, sidomos hetimet e dhjetorit 2013."

Debati për akuzat e korrupsionit shpërtheu përsëri javën e kaluar, kur një biznesmen iranian i vendosur në Turqi, Reza Zarrab mori një çmim si eksportuesi i vitit. Zarrab ishte në qendër të hetimeve të vitit 2013 për korrupsionin në AKP. Biznesmeni e mori çmimin nga zëvendës kryeministri Numan Kurtulmus, një anëtar i AKP-së dhe Presidenti Erdogan ishte i pranishëm. Këto fakte u dënuan ashpër nga partitë e opozitës.

Analisti Gursel thotë se përplasjet politike nënvizojnë sesa e vështirë do të jetë për CHP-në të krijojë një koalicion me AKP-në.

"Ata nuk janë shumë entuziastë për një koalicion me AKP-në, sepse e dinë që AKP-ja është si një entitet politik toksik”.

Udhëheqësi i CHP-së Kemal Kilicdaroglu ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar një koalicion pa AKP-në, ose për të formuar një qeveri pakice. Por MHP-ja, që do të ishte vendimtare për një shpresë të tillë, deri tani e ka përjashtuar mbështetjen e një skenari të tillë.

Edhe udhëheqësi i AKP-së Davutoglu ka treguar hezitim që të hyjë në koalicion me CHP-në. Por duke mos pasur ndonjë dëshirë për zgjedhje të parakohëshme, analistët parashikojnë se udhëheqësit e dy partive më të mëdha të vendit do të vendosen nën një presion në rritje për të arritur një marrëveshje.

XS
SM
MD
LG