Lidhje

Ukrainë, prorusët ende mbajnë ndërtesat qeveritare


Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia ka përgjegjësinë t’u kërkojë militantëve pro-rusë që kanë pushtuar ndërtesat qeveritare në Ukrainën Lindore, të evakuohen.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha sot se në se Rusia nuk merr masa për qetësimin e situatës dhe për zbatimin e marrëveshjes së të enjtes me Ukrainën, e cila synon uljen e tensioneve, do të ketë pasoja.

Zëdhënësja Psaki tha se Shtetet e Bashkuara i hedhin poshtë këto komente dhe thëniet e separatistëve, se qeveria e re ukrainase e mori pushtetin me grusht shteti.

Militantët pro-rusë vazhdojnë të mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare në Ukrainën lindore, megjithë marrëveshjen për uljen e tensioneve të arritur dje mes Kievit dhe Moskës.

Udhëheqësi militant Denis Pushilin tha se njerëzit e tij nuk kanë lidhje me marrëveshjen dhe do t'i hedhin armët vetëm pasi qeveria e Ukrainës të japë dorëheqjen.

Marrëveshja erdhi pas bisedimeve midis Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ajo kërkon evakuimin e të gjitha ndërtesave qeveritare dhe çarmatimin e militantëve.

Por në të përfshihen pak masa konkrete për 'i dhënë fund krizës dhe shumë udhëheqës perëndimorë kanë shprehur skepticizëm nëse Rusia do ta respektojë marrëveshjen.

Presidenti Barak Obama tha se Uashingtoni do të vazhdojë të përgatisë sanksione kundër Rusisë në rast se ajo nuk ndërmerr hapa për uljen e tensioneve.
XS
SM
MD
LG