Lidhje

Kerry: Masa për të zbutur konfliktin në Ukrainë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se diplomatët e lartë nga Ukraina, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord mbi një sërë masash për të zbutur konfliktin në Ukrainë.

Zoti Kerry i bëri komentet sot në Gjenevë, pas disa orë bisedimesh midis katër palëve. Ai tha se disa nga masat parashikojnë çarmatimin e të gjitha grupeve të paligjshme të armatosura dhe amnisti për të gjithë protestuesit të cilët në mënyrë paqësore lirojnë ndërtesa e pushtuara, përveç personave që gjenden fajtorë për krime të rënda.

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të cilët janë tashmë në Ukrainë, do të angazhohen menjëherë për vënien në jetë të masave për uljen e tensionit.

Zoti Kerry paralajmëroi, megjithatë, se deri tani këto plane janë vetëm "fjalë në letër" dhe suksesi do të varet se si ato do të zbatohen ato.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov bëri gjithashtu komente veçmas pas bisedimeve. Ai tha se të katër palët do të punojnë për të krijuar një dialog të gjerë kombëtar për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të ukrainasve.

Përpara takimit, Sekretari Kerry u takua veç e veç me ministrin Lavrov, me ministrin e jashtëm të Ukrainës Andrii Deshchytsia, dhe me zonjën Catherine Ashton të Bashkimit Evropian.


Vriten të paktën 3 separatistë prorusë

Zyrtarët në Ukrainë thonë se të paktën tre separatistë pro - rusë u vranë dhe 13 u plagosën në një përleshje me ushtarë të gardës kombëtare në një bazë të qytetin ukrainas Mariupol. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, fajësoi qeverinë e Ukrainës për krizën

Ministria e brendshme e Ukrainës tha se separatistët sulmuan bazën me granata dhe bomba me benzinë. Ajo tha se trupat çarmatosën shumicën e personave që sulmuan dhe arrestuar disa prej tyre.

Anëtarë të milicisë pro - ruse thonë se komandanti i bazës nuk pranoi të negociojë dhe ishte përgjegjës për incidentin.

Presidenti ukrainas në detyrë Oleksandr Turchynov, duke folur në parlament i quajti terroristë pjesëtarët e milicisë dhe paraqiti versionin e tij të asaj që ndodhi:

"Në Mariupol, terroristët u përpoqën të sulmojnë bazën ushtarake, duke synuar marrjen e arsenalit dhe automjeteve ushtarake. Pas përpjekjes së tretë për të marrë ndërtesën me përdorimin e armëve, granatave dhe shisheve me benzinë, kriminelët u sulmuan nga garda kombëtare. Tre militantë u vranë, 13 janë plagosur dhe 63 janë arrestuar," tha zoti Turchynov.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, duke folur sot në televizion kombëtar në Moskë, fajësoi qeverinë e Ukrainës për krizën, por tha se bisedimet e Gjenevës janë të rëndësishme.

Ai pranoi për herë të parë se trupat me uniforma pa shenja që morën gadishullin ukrainas të Krimesë para aneksimit të saj nga Moska ishin ushtarë rusë.

"Unë nuk e kam fshehur se ishte detyra jonë të siguronim kushte për shprehjen e lirë të vullnetit të banorëve të Krimesë. Kjo ishte arsyeja pse ne duhet të merrnim masat e nevojshme në mënyrë që ngjarjet të mos zhvilloheshin siç po zhvillohen sot në juglindje të Ukrainës. Ushtarakët tanë vepruan në një mënyrë shumë korrekte, me vendosmëri dhe në mënyrë profesionale," tha zoti Putin.

Ai e quajti pa kuptim të mendosh se në Ukrainë ka njësi ushtarake ruse. Presidenti Putin tha se të gjitha veprimet separatiste janë duke u kryer nga banorët vendës.

Ambasadorja amerikanë në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, tha dje në Këshillin e Sigurimit se ekzistojnë prova të konsiderueshme lidhur me përfshirjen e Rusisë në trazirat e Ukrainës lindore. Ajo e quajti këtë një fushatë nxitjeje dhe sabotimi të organizuar me kujdes dhe në mënyrë profesionale.
XS
SM
MD
LG