Lidhje

Ukraina rifillon operacionet kundër separatistëve


Ukraina i dha fund zyrtarisht armëpushimit të Pashkëve kundër separatistëve prorusë në lindje të vendit dhe tha se operacionet antiterroriste kanë rifilluar, ndërkohë që Rusia ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet.

Zëvendës kryeministri i parë Vitali Yarema komentoi për gazetarët lidhur me operacionet gjatë një takimi të kabinetit.

"Faza aktive e operacionit është duke vazhduar. Organet e ligjit po punojnë për shkatërrimin e grupeve të gangsterëve në Kramatorsk , Sloviansk dhe qytete të tjera në rajonet Donetsk dhe Luhansk,'' tha zoti Yarema.

Zëvendëskryeministri tha se do të ndërmerren ato që ai i quan "hapa të duhur" dhe se rezultatet do të shihen së shpejti.

Zoti Yarema tha se Ukraina ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara se nuk do të lihet vetëm për t'u përballur me agresionin rus. Ai shprehu shpresën se mbështetja amerikane do të jetë më konkrete.

Në Moskë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i tha televizionit shtetëror se Rusia do të kundërpërgjigjet nëse sulmohen interesat e saj legjitime apo populli rus. Ai tha se reagimi i Rusisë do të jetë i njëjtë me atë në Osetinë e Jugut në vitin 2008, gjë që çoi në një luftë të shkurtër me Gjeorgjinë.

Pentagoni tha dje se po dërgon 600 trupa amerikane në Poloni dhe në Vendet Baltike për t'i "dhënë një mesazh" Moskës si dhe për të siguruar aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG