Lidhje

Ukrainë, luftime pavarësisht armëpushimit


Ushtria e Ukrainës thotë se më shumë ushtarë të saj janë vrarë në dy ditët e fundit nga gjuajtjet me mortaja dhe me raketa nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Luftimet janë intensifikuar në Ukrainën lindore pavarësisht marrëveshjes për armëpushim të nënshkruar në shkurt në kryeqytetin bjellorus, Minsk.

Të dy palët ranë përsëri dakord të hënën të tërheqin armët e rënda nga vija e frontit, por ekziston frika se marrëveshja e paqes është duke u bërë gjithnjë e më e brishtë. Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase akuzoi sot Rusinë për grumbullim të trupave dhe armëve të rënda në fshatin Veydelevka të rajonit Bolgorood në Rusi, 10 kilometra larg kufirit ukrainas.

Sipas zëdhënësit ukrainas Rusia ka dislokuar 50 automjete të blinduara ushtarake dhe 2000 ushtarë ndërkohë që në 24 orët e fundit një ushtar ukrainas u vra dhe dy të tjerë u plagosën në luftimet në lindje të vendit.

Mortajat dhe raketat vazhdojnë të godasin Ukrainën lindore. Ky kopsht fëmijësh në fshatin Spartak afër Donetskut javën e kaluar ishte në shënjestër të sulmeve. Separatistët pro-rusë që kontrollojnë zonën fajësojnë forcat ukrainase për sulmin.

"Pala ukrainase ka sulmuar me mortaja të kalibrit të lartë, 80 deri në 120 milimetër", thotë Lipa, një separatist pro-rus.

Ushtria ukrainase mohon shkeljen e armëpushimit dhe thotë se separatistët, të ndihmuar nga ushtarët rusë, vazhdojnë të hapin zjarr ndaj pozicioneve të tyre. Zyrtarët ukrainas thonë se gjashtë ushtarë u vranë të hënën dhe të martën.

Megjithë intensifikimin e luftimeve, ministrat e jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës të hënën u takuan në Berlin dhe ripërtërinë angazhimin e tyre për marrëveshjen e Minskut për armëpushim.

"Pavarësisht keqësimit të situatës, është e rëndësishme që ne kemi rënë dakord sot që jo vetëm të vazhdohet me tërheqjen e armëve të rënda, por që të fillojë tërheqja edhe e kategorive të tjera të armëve. Tani, tanket, mortajat dhe armë të rënda që janë nën kalibrin 100 milimetër do të jenë pjesë e angazhimit për tërheqje", tha Frank-Walter Steinmeire, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Të dy palët janë duke vlerësuar marrëveshjen e armëpushimit para angazhimit të plotë për tërheqjen ushtarake, thotë Kadri Liik e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

"Rusia është ende duke e mbajtur gjallë opsionin ushtarak, dhe ka njoftime të vazhdueshme për grumbullim të trupave ruse në këtë zonë. Në të njëjtën kohë, është gjithashtu e vërtetë se disa armë të rënda janë duke u tërhequr nga vija e frontit. Dhe opsioni diplomatik është ende i hapur".

Zonja Liik thotë se ambiciet e mëdha të Rusisë në Ukrainë mbeten të paqarta, por ato mund të përfshijnë krijimin e një konflikt të ngrirë.

"Dhe kjo ndoshta do të përfshijë një ofensivë të mëtejshme ushtarake sepse më pas ata do të mund të përpiqen ta bëjnë rajonin e Donbasit një "entitet" më të suksesshëm. Kjo mund të nënkuptojë pushtimin e Mariupolit dhe zonave të tjera".

Kërcënimi për rifillimin e luftës, ka bërë që konflikti të jetë pjesë e aktiviteteve shkollore. Studentët në Kolegjin e Minierava në Donetsk, që kontrollohet nga rebëlët, organizuan një konkurs ushtarak këtë javë me titull "Unë jam i gatshëm për të punuar dhe për të mbrojtur atdheun tim". Pjesë e garës ishte montimi dhe çmontimin i një kallashinkovi.

"Nëse disa njerëz të padëshiruara vijnë këtu, atëherë të gjithë duhet të dinë se si ta përdorin atë. Është e nevojshme", thotë Sergei.

Ndërkohë në qytetin e Kharkivit të kontrolluar nga qeveria ukrainase, grupe aktivistësh gjatë fundjavës rrëzuan statujat e epokës sovjetike në të gjithë qytetin, pjesë e një fushate për të hequr nga Ukraina ikonat e të kaluarës së saj të shekullit të 20 nën ish-Bashkimin Sovjetik.

XS
SM
MD
LG