Lidhje

Krimea mban referendumin, Kievi vëzhgon


Referendumi i organizuar me ngut në Krime u mbajt me gjithë dënimin në shkallë të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar, i cili e ka quajtur procesin të paligjshëm.

Në Sevastopol, ku Flota ruse e Detit të Zi ka bazat e saj të marra me qira në marrëveshje me me Ukrainën, entusiazmi për referendumin ishte i madh. Njerëzit kishin formuar radhë në qendrat e votimit përpara se ato të hapeshin.

Natalya Zagorskaya, kishte sjellë dy fëmijët e saj ndërsa hidhte votën në favor të bashkimit me Rusinë.

Si shumë banorë të tjerë, Natalya shprehu shqetësim për të ardhmen e fëmijëve të saj. Ajo tha se i trembej atyre që ajo i quajti nacionalistë ukrainas në Kiev.

"Njerëzit në Krime e mendojnë veten si rusë. Ishim në rrezik të vërtetë, rrezik për jetën tonë, për jetën e fëmijëve të mi. Prandaj jemi të gëzuar që tani kemi rastin të bëjmë zgjedhjen tonë," thotë Natalya.

Ndërsa dhjetëra banorë paraqisnin dokumentet për të hedhur votën në motin e zymtë të së dielës, Vladimir Lozovoy oficer në pension i marinës ish-sovjetike erdhi i veshur me uniformë dhe u prit me brohoritje. Duke i mbajtur me vështirësi lotët, Lozovoy tha se kishte 23 vjet që e priste këtë ditë.

Politikanët në Krime të mbështetur nga Moska, thonë se ky hap do të sigurojë mbrojtjen e popullsisë nga nacionalizmi radikal, që sipas tyre shpërtheu pasi Presidenti Viktor Janukoviç u detyrua të largohej nga Ukraina.

Megjithatë, deri tani nuk ka ndonjë provë konkrete për kërcënime. Ndërkohë, udhëheqja e re e Ukrainës e përshkruan atë që po ndodh në Krime si një uzurpim të paskrupullt territori.

Që nga largimi i Janukoviçit në Rusi, Krimea, një territor me popullsi prej dy milion banorësh, është vënë nën kontrollin e forcave të milicisë, si dhe të trupave të armatosura rëndë, të komanduar dukshëm nga Moska.

Në kryeqytetin e Ukrainës Kiev, besimtarët që ndjekin ceremonitë e së dielës, ndezën qirinj duke u lutur për mbrojtjen e njerëzve në Krime.

Në Katedralen Pechersk Lavra njerëzit thonë se është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë pas referendumit. Ja ç'thotë, Tatiana, e cila nuk dëshiron ta japë emrin e plotë.

"Natyrisht, Presidenti Putin nuk do të ndalet në Krime, sepse ai kërkon të marrë gjithë Ukrainën".

Ndërkohë, në sheshin e Pavarësisë të Kievit, zemra e protestave antiqeveritare që u bënë shkas për trazirat në vend, barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë aty ku ishin, të rrethuara nga tendat e shpërndara të protestës. Aty pranë, ende shikon lule në kujtim njerëzve që humbën jetën në përleshje me forcat e policisë.

Parlamenti dhe qeveria e re në Kiev kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk do ta njohin referendumin, të cilin e kanë quajtur antikushtetuese dhe të paligjshëm.
XS
SM
MD
LG