Lidhje

E ardhmja e Ukrainës


Pas garës së fundit zgjedhore në Ukrainë kishte shpresë se konflikti në lindje do të lehtësohej, por kjo nuk ka ndodhur. Autokolona ushtarake nga Rusia po shkojnë drejt zonave të kontrolluara nga rebelët përsëri, duke ngritur shqetësimin për një ofensivë të re dhe për një konflikt afatgjatë.

Në fund të muajit të kaluar, ukrainasit në pjesën më të madhe të vendit zgjodhën kandidatët më reformatorë dhe më pro-evropianë si asnjëherë më parë. Një javë më vonë, separatistët e mbështetur nga Rusia në dy enklava të vogla në lidnje mbajtën votimet e tyre në përpjekje për të legjitimuar udhëheqësit rebelë dhe pretendimet e tyre për pavarësi.

Ukraina dhe komuniteti ndërkombëtar refuzuan rezultatet por Rusia i njohu ato – dhe më pas bëri këtë.

Vëzhguesit europianë, aleanca e NATOs dhe bnaorët lokalë konfirmuan të paktën tre autokolona ruse me artileri të rëndë, pajisje dhe trupa në uniforma pa simbole që kaluan në territorin ukrainas të mbajtur nga rebelët gjatë ditëve të fundit. Rusia i mohon këto pretendime. Por për shumë kjo është kujtesë e pushtimit të Krimesë në fillim të vitit, që Rusia gjithashtu e mohoi derisa u krye.

Disa vëzhgues besojnë se situata në Ukrainën lindore ka arritur fazën e një konflikti të ngrirë.

Por drejtori ndërkombëtar në Institutin Royal United, Jonathan Eyal, thotë se të mendosh kështu për konfliktin, është një mënyrë e gabuar.

“Është gabim t’i quash konflikte të ngrira. Ato nuk janë asnjëherë të ngrira. Ato janë të ngrira vetëm për qeveritë perendimore që nuk duan t’i shohin. Përndryshe këto janë konflikte që gjenerojnë shumë vështirësi, gjakderdhje, viktima dhe zakonisht shpërthejnë në lufra më të mëdha ashtu siç pamë në Gjeorgji.”

Gjatë verës, ushtria ukrainase shtyhu rebelët mbrapsht nga zonat e mëdha që morën në enklava më të vogla në afërsi të kufirit rus. Tani Rusia dhe rebelët duket se do të tentojnë ta ndryshojnë këtë.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov la të kuptohej kjo ditët e fundit kur tha se autoritetet ukrainase dhe rebelët duhet të finalizojnë termat për çarmatimin e forcave të tyre dhe për të rivendosur armëpushimin e negociuar në shtator.

“Objektivi afatgjatë është i thjeshtë – ose Ukraina hyn në sferën ruse të influencës si një shtet i vetëm, ose në se mbetet në sferën e influencës perendimore, siç e shohin rusët, do të jetë një Ukrainë e cunguar.”

Tashmë luftimet janë intensifikuar, me bombardime ditore nga të dyja anët dhe shtimin e viktimave, përfshi civilë.

“Palët ende po testojnë forcën e njëra-tjetrës.”

Orysia Lutsevych ndjek çështjet evropiane në organizatën Chatham House në Londër.

Ajo thotë se situate në zonat e rebelëve është shumë e nderë, me bombardime të shpeshta, mungesë ushqimesh dhe energjie. Zonja Lutsevych fajëson pjesërisht për këtë politikat e perëndimit ndaj Rusisë që nga pushtimi i Gjeorgjisë në vitin 2008.

“Perëndimi, në një farë mënyre po mundohej të bënte kompromis, duke mos e mërzitur shumë Rusinë. Dhe mendoj se kjo nuk ishte strategjia e duhur. Kjo vetëm do të kushtojë më shumë në aspektin afatgjatë.”

Udhëheqësve të Ukrainës u mbetet vetëm të përpiqen të vazhdojnë strategjinë e tyre drejt perëndimit, ndërsa duhet të menaxhojnë krizën e përkeqësuar në lindje, një krizë që vazhdon të ketë kosto politike dhe njerëzore.

XS
SM
MD
LG