Lidhje

Takimi ministror i OSBE-së në Ukrainë


Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhe nënsekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland po marrin pjesë në takimin ministror të OSBE-së në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Takimi zhvillohet ndërsa në ish vendin sovjetik vazhdojnë protestat, më të mëdhatë qysh nga Revolucioni Portokalli nëntë vjet më parë.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Marrëdhëniet me Evropën dhe Euroazinë, Victoaria Nuland, shprehu sot mbështetjen për gazetarët ukrainas të plagosur nga përleshjet me policinë gjatë protestave anti-qeveritare.

Zonja Nuland u shfaq në nisjen e një fushate ku zyrtarët e OSBE-së dhe aktivistët ukrainas kërkuan mbrojtje më të mirë për median që mbulon protestat në Ukrainë.

Oksana Romanyuk e Institutit Ukrainas për Informacionin tregoi fotografi të gazetarëve që thonë se janë rrahur nga policia.

Në prapaskenën e takimit, ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha se Moska ka nevojë të kuptojë se Ukraina është pjesë e Evropës.

"Kur ne evropianët vijmë në Ukrainë dhe bisedojmë me ta, kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme por thjesht një çështje evropiane. Ne nuk lejojmë kërkënd të na tregojë sesi ne evropianët merremi vesh me njëri-tjetrin. Dhe këtë duhet ta kuptojë edhe Moska."

Diplomatët perendimorë u bënë thirrje sot autoriteteve të Ukrainës të respektojnë protestat masive që kanë përfshirë vendin kundër vendimit të qeverisë për të ngrirë marrëdhëniet me BE-në dhe për t’u kthyer nga Moska.

Disa mijëra aktivistë vazhduan demonstratat në sheshin qëndror të kryeqytetit Kiev dhe rrethimet e ndërtesave qeveritare ndërsa këshilli ministror i OSBE-së fillonte takimin.

Qeveria nuk ka dhënë shenja se do të bëjë lëshime ndaj protestave. Policia kishte premtuar të mos përdorte forcë, por ata kanë ndaluar dhe kanë marrë në pyetje dhjetra aktivistë të opozitës.

Demonstratat u nxitën nga vendimi i presidentit Yanukovych për të mos nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian pas presionit të fuqishëm nga Rusia.

Kryeministri Mykola Azarov ka thënë se Ukraina mbetet e angazhuar për të ecur përpara me procesin e associmit në BE dhe e përshkroi vendimin e Yanukoviçit vetëm si një pauzë.

Ukraina thotë se nuk mund të përballojë humbjet tregëtare që mund të ketë me Rusinë nëse do të kishte nënshkruar marrëveshjen me BE-në muajin e kaluar.

Qeveria e presidentit rus Vladimir Putin është e vendosur ta përfshijë Ukrainën, këtë republikë ish-sovjetike, përsëri në zonën e saj të ndikimit.
XS
SM
MD
LG