Lidhje

Ukraina nuk do të lejojë autokolonën me ndihma nga Rusia


Ukraina deklaroi se nuk do të lejojë autokolonën prej 280 kamionësh me ndihma humanitare nga Rusia të hyjë në vend.

Zyrtarët ukrainas thanë sot se autokolona nuk do të lejohet për shkak se ajo nuk po koordinohet nga ana e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe mund të shërbejë si pretekst që Rusia të dërgojë trupa në territorin që mbahet nga separatistët.

Valeriy Chaly, zyrtar i presidencës ukrainase, tha se Ukraina ka në plan të mos e lejojë autokolonën. Ai tha se ndihma ruse do të ngarkohet në automjete të siguruara nga Kryqi i Kuq, i cili do të jetë përgjegjës për koordinimin dhe shpërndarjen e ndihmave në Ukrainën lindore.

Ukraina, shtoi zyrtari, "përfundimisht" nuk do të lejojë personel nga ministria e situatave emergjente të Rusisë ose personel të tyre ushtarak që të shoqërojë furnizimet me ndihmat ruse.

Televizioni rus njoftoi sot se misioni i ndihmës është duke u realizuar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

Por kjo agjenci tha dje se nuk është arritur ndonjë marrëveshje për pjesëmarrjen e Rusisë dhe se duhen sqaruar "hollësitë praktike" para se të realizohet një mision i tillë.

XS
SM
MD
LG