Lidhje

Avioni malajzian, Rusia Jo ngritjes së gjykatës


Rusia po përballet me kritika të ashpëra për kundërshtimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për të ndjekur penalisht autorët e rrëzimit të një avioni të kompanisë Malaysia Airlines në Ukrainë një vit më parë.​

"Ne jemi thellësisht të zhgënjyer nga mosmiratimi i projekt-rezolutës për krijimin e një gjykate ndërkombëtare penale për rastin e avionit MH17 pavarësisht përpjekjeve tona për të trajtuar shqetësimet e anëtarëve të Këshillit dhe për të eliminuara mospajtimet tona", thotë ministri malajzian i transportit, Liow Tiong Lai.

"Nuk ka arsye për kundërshtimin e rezolutës, nëse nuk keni lidhje me rrëzimin", thotë ministri i jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin.

Reagimet pasuan komentet e ambasadorit rus në OKB, Vitali Çurkin, i cili tha se Moska e kundërshtoi gjykatën për shkak të shqetësimit se ajo nuk mund të jetë e paanshme.

"Si mund të sigurohemi se hetimi do të jetë i paanshëm dhe do t’i rezistojë propagandës agresive të medias? Si do t’i rezistonte presionit të qartë politik, kur shkaqet dhe madje edhe fajtorët e fatkeqësisë, janë përmendur që më parë. Deklarata të tilla janë bërë nga një numër i udhëheqësve të shteteve të caktuara që janë pjesë e ekipit të përbashkët hetimor".

Një vit më parë, një avion malajzian me 298 persona në bord, u godit nga një raketë tokë-ajër në Ukrainën lindore që kontrollohet nga seperatistët e mbështetur nga Rusia ndërkohë që po fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur.

Ambasadorja amerikane në OKB thotë se kundërshtimi i Rusisë ndaj ngritjes së një gjykate penale ngre pyetje të tjera.

"Duke i vënë veton kësaj rezolute, Rusia është përpjekur të mohojë drejtësinë për 298 viktimat e atij avioni, dhe familjeve të tyre shansin për të parë gjykimin e përgjegjësve të sulmit".

Edhe kryeministri britanik David Cameron sot kritikoi vendimin e Rusisë për t’i vënë veton rezolutës dhe tha se duhet të shqyrtohen mënyra të tjera për krijimin e një gjykate për hetimin e rrëzimit të avionit maljazian në Ukrainë.

“Nëse ne nuk mund ta krijojmë një gjykatë përmes OKB-së, atëhere ne do të duhet të kërkojmë mënyra tjera për të realizuar këtë. Drejtësia, ashtu si në rastin e fatkeqësisë në Llokërbi, duhet të vihet në vend”.

Ukraina dhe Perëndimi dyshojnë se avioni u rrëzua nga ushtarë rusë ose separatistë pro-rusë, por Rusia e ka mohuar këtë.

Rusia fajëson një avion luftarak ukrainas për rrëzimin e aeroplanit malajzian.

XS
SM
MD
LG