Lidhje

Kosova, Serbia, Bosnja në takimin mbi ISIS-in


Presidenti amerikan Barack Obama ka ftuar Kosovën, Serbinë e Bosnjën në takimin koalicionit kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thanë se kanë marrë ftesa nga presidenti amerikan Barack Obama për të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve, që do të mbahet më 29 shtator në New York.

Samiti do të mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe në të do të diskutohet për të arriturat e shteteve në luftën kundër grupit militant që veten e quan Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë dhe ekstremizmit të dhunshëm. Po ashtu ftesa i është dërguar edhe kryesuesit të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Dragan Çoviç.

Ende nuk dihet nëse ftesa të ngjashme kanë marrë edhe vendet tjera të rajonit, të cilat po ashtu llogariten si pjesë e koalicionit global antiterrorist ku janë përfshirë mbi 60 vende të botës.

Pritet që në takimin e 29 shtatorit të marri pjesë të gjitha vendet që kishin marrë pjesë e në takimin e mbajtur në shkurt të këtij viti në Shtëpinë e Bardhë për luftën kundër ekstremizmit.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere ishin marrë vesh në atë takim që të rivlerësojnë përparimin e tyre në luftën kundër ekstremizmit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në muajin shtator.

Atëbotë presidenti Obama që ishte mikpritës i takimit tha se qeveritë dhe kulturat e ndryshme të botës duhet të përpiqen që t’u jepet fund konflikteve sektare, siç është ai mes sunive dhe shiitëve në botën myslimane. Por udhëheqësit botërorë, - tha ai, - duhet t’i ndihmojnë njerëzit që t’u shpëtojnë varfërisë dhe shtypjes, për të cilat, ai tha se u shërbejnë përpjekjeve për rekrutimin e terroristëve.

Në shtator të vitit të kaluar presidenti Obama kishte drejtuar një mbledhje të Këshillit të Sigurimit i cili miratoi një rezolutë për pengimin e përfshirjes së luftëtarëve te huaj në radhët e ekstremistëve në Siri dhe Irak.

Edhe vendet e Ballkanit janë zonë e origjinës së luftëtarëve të huaj. Në fillim të muajit gusht, ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, tha se aktualisht janë rreth 100 qytetarë të Kosovës që luftojnë përkrah organizatave terroriste në Siri e Irak. Ai tha po ashtu se të paktën 40 qytetarë nga Kosova janë deklaruar si të vrarë gjatë luftimeve në Lindjen e Mesme.

Autoritetet qeveritare në Bosnje thonë se të paktën 160 boshnjakë janë larguar nga vendi për të luftuar për Shtetin Islamik. Disa qindra luftëtarë me origjinë nga Shqipëria, Maqedonia e Serbia u janë bashkuar militantëve në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG