Lidhje

SHBA: hetim i plotë i sulmit në spitalin afgan


Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, u zotua për hetim të plotë të sulmit ajror mbi spitalin e drejtuar nga “Mjekët pa Kufij” në Kunduz që la pas vetes 22 të vrarë

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, e cilësoi sulmin e së shtunës në një spital afgan ku u vranë 22 persona, një humbje tragjike të jetëve dhe u zotua për hetim të plotë e transparent për të përcaktuar nëse është përfshirë personeli ushtarak amerikan. Zoti Carter pohoi se mjetet ajrore amerikane ishin pjesë e operacionit ushtarak afgan përreth qytetit verilindor Kunduz, në kohën e sulmit.

Sekretari Carter, në fillim të udhëtimit pesëditësh në Evropë, shprehu pikëllimin për humbjen e jetëve në spitalin e drejtuar nga “Mjekët pa kufij”.

“Kjo është një humbje tragjike e jetëve. Mendimet nuk mund të shkojnë veçse tek njerëzit e pafajshëm që pësuan në një dhunë të tillë dhe tek përkushtimi që sa u përket Shteteve të Bashkuara dhe forcave tona, do të ketë një hetim të plotë e transparent dhe që do ta mbajmë përgjegjës këdo që mund të jetë përgjegjës për diçka që nuk është dashur të ndodhë”, tha ai.

Sekretari Carter tha se situata është mjaft e paqartë dhe e ndërlikuar, prandaj mund të marrë kohë mbledhja e fakteve.

Të shtunën, presidenti Barack Obama, u shprehu “ngushëllimet më te thella”, mjekëve dhe civileve të vrarë e të plagosur në atë që ai e cilësoi si “incident tragjik”. Ai tha se pret një hetim të plotë të fakteve dhe rrethanave. Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë punojnë ngushtë me presidentin Ashraf Ghani, me qeverinë afgane dhe partneret ndërkombëtarë për të mbështetur forcat afgane në punën e tyre për sigurinë e vendit.

Zyrtarë amerikan, që folën në kushte anonimiteti, thanë se forcat e posaçme amerikane që këshillojnë dhe mbështesin forcat afgane, u gjetën nën zjarr dhe kërkuan mbështetje nga ajri. Zyrtarët afgan thanë se u sulmuan nga luftëtarët talibanë nga kompleksi spitalor.

Spitali në Kunduz, pas sulmit të së shtunës
Spitali në Kunduz, pas sulmit të së shtunës

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, Mjekët pa Kufij, që u tërhoqën nga Kunduzi pas sulmit të së shtunës, përsëritën kërkesën për hetime të pavarura. Grupi humanitar, shprehu “neveri”, ndaj deklaratave të zyrtarëve afgan, “që nënkuptojnë se forcat afgane dhe amerikane duke punuar së bashku vendosën të bëjnë rrafsh me tokë një spital plotësisht funksional, me më shumë se 180 pjesëtarë të personelit dhe pacientë brenda tij, sepse ata pretendojnë që pjesëtarë të grupit taliban ishin të pranishëm”. Në deklaratë thuhet se kjo paraqet një pranim të krimit të luftës.

Analisti i institutit RAND, Jonah Blank, vlerësoi punën humanitare të Mjekëve pa Kufij, ndërsa bëri thirrje që të mos nxirren përfundime të nxituara.

“Ne vërtetë ende nuk e dimë se ku qëndron faji. Nuk ka dyshim që ishte një tragjedi e tmerrshme që nuk duhej të ndodhte kurrë. Ajo që nuk e dimë ende është se përse ndodhi. Nuk e dimë nëse ky është një gabim që ndodhë gjithnjë në luftëra, nëse kishte luftëtarë talibanë që ndodheshin në afërsi dhe janë shënjestëruar, apo thjeshtë kishte mungesë komunikimi. Mendoj se një gjë që e dimë, apo që duhet ta dimë, është se vërtetë nuk ka asnjë mundësi që ta shoh se ky ishte një sulm i qëllimshëm ndaj jo luftëtarëve, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë”.

Ish ambasadori amerikan në Kabul, Ryan Crocker, tha të dielën se nuk beson që kjo tragjedi do të ndryshojë pikëpamjet e popullit afgan se vendi i tyre ka nevojë për prani të vazhdueshme amerikane.

“Ata do të kuptojnë se ishte një gabim. Asnjë vend, asnjë ushtri nuk bën më shumë sesa Shtetet e Bashkuara për të shmangur gjëra të tilla. Tragjikisht, kjo ndodhi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë në mënyrë thelbësore mënyrën se si na shohin afganët. Aktualisht ata kanë shumë nevojë për ne. Ata duan që ne të qëndrojmë, të angazhohemi dhe të mbështesim ushtrinë e tyre. Ky do të jetë reagimi dominues”, tha Crocker.

Forcat amerikane në Afganistan, numërojnë aktualisht rreth 9 mijë e 800 trupa, ndërsa pritet që të shkurtohen në rreth një mijë deri në fund të vitit 2016. Por mediat raportojnë se zyrtarët amerikan të mbrojtjes, duke u mbështetur në situatën e brishtë të sigurisë, duan të mbajnë disa mijëra trupa përtej këtij afati.

XS
SM
MD
LG