Lidhje

Presidenti Obama mbi ndryshimet klimatike


Alaska, takim mbi ndryshimet klimatike

Presidenti amerikan Barack Obama i ka cilësuar ndryshimet klimatike si një kërcënim në rritje dhe mjaft urgjent. Zoti Obama shkoi të henën në Alaska në kuadër të një turne tre ditor në shtetin e largët amerikan për të shtuar vëmendjen ndaj çështjeve të mjedisit. Zoti Obama është presidenti i parë amerikan në detyrë që viziton Arktikun.

Në një takim në Anchorage të organizuar nga Departamenti i Shtetit për çëshjtej mjedisore të Arktikut, zoti Obama tha se ndryshimet klimatike po përkeqësohen me kalimin e viteve.

“Jemi këtu për të diskutuar sfidën që do të përcaktojë konturet e këtij shekulli në mënyrë më dramatike se sa më parë. Është kërcënimi urgjent dhe në rritje i ndryshimit të klimës që po kuptojmë çdo ditë e më mirë. Njeriu po ndikon tek klima në shumë mënyra dhe më shpejt se mendohej. Parashikimet shkencore janë të zymta dhe tregojnë se ky kërcënim dikur i largët, tani është shumë më i pranishëm.”

Megjithë mbështetjen për veprimet e zotit Obama për ndryshimet klimatike, grupet mjedisore protestuan jashtë konferencës kundër vendimit të fundit të administratës së tij për të lejuar kompaninë Shell që të zgjerojë kërkimet për naftë pranë brigjeve të Alaskës.

Danielle Redmond është veprimtare me Rrjetin e Veprimit Klimatik në Alaskë.

“Jemi këtu për të falenderuar presidentin që po e ngre çështjen. Është një fillim i mirë por jo i mjaftueshëm. Duhen bashkërenduar gjerat bazuar në shkencë dhe kemi nevojë për një ndryshim të drejtë.”

Ndërsa në Alaskë, presidenti ka në plan të vizitojë një akullnajë, të bisedojë me peshkatarët dhe bëhet pjesë e një emisioni televiziv.

Para udhëtimit, presidenti u kritikua nga disa ligjvënës për vendimin e tij për t’i ndryshuar emrin malit më të lartë në Alaska nga Mali McKinley në Denali. Popullsia vendase prej shumë kohësh e quajnë atë mali Denali që do të thotë “më i madhi” ose “më i larti” në gjuhën indigjene athabascan.

Në vitin 1896 një kërkues ari i vuri malit emrin McKinley për të nderuar William McKinley-n, një banor në Ohajo dhe njohës i arit i cili u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara po atë vit.

XS
SM
MD
LG