Lidhje

Prodhimi i naftës në Shtetet e Bashkuara


Shtetet e Bashkuara janë tani prodhuesi më i madh i naftës në botë. Kjo, sipas një raporti të ri nga kompania BP Energy, e cila thotë se ishin “mënyrat e avancuara të nxjerrjes së naftës” që i bënë Shtetet e Bashkuara prodhuesin kryesor të energjisë në botë. Por të tjerë thonë se rritja e prodhimit të naftës është e lehtë, vështirësia është të mësosh ta përdorësh sa më pak atë.

Për prodhuesit e energjisë, kjo është kohë ndryshimesh– çmimet e naftës ranë në nivelin më të ulët në 10 vite – konsumi botëror është rritur me ritmin më të ngadaltë në disa dekada.

Tani, bazuar në raportin e ri – ekonomisti i BP Energy Spencer Dale thotë se Shtetet e Bashkuara janë në krye të zinxhirit të prodhimit të naftës:

“Në kulmin e saj vitin e kaluar, në Shtetet e Bashkuara operuan më shumë se 1,800 platforma nafte dhe gazi, duke shpuar gati 40,000 puse të reja.“

Kjo ishte mjaftueshëm për ta rritur prodhimin amerikan në 11.6 milion fuçi në ditë – gati 16 përqind më shumë se një vit më parë. Mjaftueshëm për ta lënë pas Arabinë Saudite. Merita i takon pjesërisht përdorimit të teknologjisë së nxjerrjes me ujë me presion. Kjo bëri që të nxirreshin më shumë produkte nafte nga depozitat argjilore që dikur nuk mendohej se mund të arriheshin. Dale thotë se kjo teknologji përfaqëson një ndryshim themelor:

“Revolucioni amerikan i prodhimit me teknologjitë e reja arriti maja të reja. Çmimet e naftës ranë ndërsa emetimet e karbonit llogaritet të jenë rritur me ritmin më të ulët në 15 vite.”

Por kjo teknologji mbetet e debatueshme. Akademia Botërore e Biznesit thotë se rritja e prodhimit përbën një rrezik më të lartë për plazhet si ky në Kaliforni ku çarja e një tubacioni derdhi dhjetra mijëra litra naftë të papërpunuar. Matt Renner është drejtor ekzekutiv i grupit:

“Derdhja e naftës kudo është krim. Nafta e ka vendin në tokë dhe duhet ta lemë aty.”

Ndërsa rritja e kapacitetit të prodhimit do të thotë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të varura nga importet e huaja - Bob Deans, zëdhënës i Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore thotë se sfida nuk ka qënë asnjëherë si të prodhohet më shumë naftë por si të përdoret më pak:

"Duhet të ndalim djegien e naftës në Oklahoma, Kansas, Ohio dhe Pensilvani; ky duhet të jetë synimi afatgjatë.”

Dhe, përsa kohë që kjo të ndodhë, raporti i BP thotë se sektori i prodhimit po përfiton nga kostoja e ulët e karburantit dhe rritja e qëndrueshmërisë, në një vend që tani prodhon 90 përqind të energjisë që konsumon.

XS
SM
MD
LG