Lidhje

SHBA rithekson mbështetjen ndaj planeve për rimarrjen e Ramadit


Pushtimi i Ramadait nga grupi Shteti Islamik, nxiti kritika të ashpra ndaj politikës së presidentit Obama kundruall konfliktit në Irak

Presidenti amerikan Barack Obama riafirmoi mbështetjen e qeverisë së tij për kryeministrin e Irakut dhe vendimin për të planifikuar një operacion për rimarrjen e qytetit Ramadi, ndërsa forcat irakiane dhe të milicisë shite janë grumbulluar afër atij qyteti.

Trupat dhe milicia arritën më herët të rimarrin qytetin Tikrit, por zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, tha se rimarrja e Ramadit është më sfiduese meqë forcat irakiane lanë prapa shumë pajisje ushtarake amerikane derisa braktisën qytetin.

Ben Connable, një analist rajonal në korporatën RAND, i tha të mërkurën Zërit të Amerikës se lënia prapa e tankeve, autoblindave dhe artilerisë e ka bërë situatën “shumë të keqe”.

“Kjo është saktësisht mënyra se si Shteti Islamik ka siguruar pjesën më të madhe të pajisjeve”, tha ai.

Militantët e Shtetit Islamik pushtuan Ramadin të dielën pas disa ditë luftimesh të cilat sipas autoriteteve lanë pas vetes 500 të vrarë.

Forcat irakiane të shpartalluar u tërhoqën në lindje të qytetit, ndërsa milicia shiite ju përgjigjën thirrjeve të kryeministrit irakian Haider al-Abadi për t’ju bashkuar forcave qeveritare dhe të mblidhen në afërsi të Ramadit në përgatitjet për një operacion të mundshëm.

Pushtimi i Ramadait nga grupi Shteti Islamik, nxiti kritika të ashpra ndaj politikës së presidentit Obama kundruall konfliktit në Irak, që përfshinë sulme ajrore kundër kryengritësve, por jo edhe përfshirje të trupave tokësore amerikane për të mbështetur irakianët.

“Plani i presidentit nuk po funksionin”, tha republikani John Boehner. “Është koha që ai të dalë me një strategji gjithëpërfshirëse për të shkatërruar kërcënimin e vazhdueshëm terrorist”.

Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest fajësoi kongresin se nuk i dha presidentit Obama autorizimet ushtarake të kërkuara prej tij që çojë përpara luftën kundër Shtetit Islamik.

“Dikush në Kongres ka nevojë të marrë përgjegjësinë për këtë dhe jo vetëm të ankohet vazhdimisht”, tha Earnest.

XS
SM
MD
LG