Lidhje

SHBA do të pranojnë mijëra refugjatë sirianë


Shtetet e Bashkuara thonë se do të pranojnë të paktën 10.000 refugjatë sirianë vitin e ardhshëm dhe do të rrisin ndihmën humanitare për ata që po largohen nga dhuna në Siri. Kjo ndodh ndërkohë që disa ligjvënës amerikanë janë duke ushtruar trysni ndaj administratës për të bërë më shumë lidhur me krizën e refugjatëve.

Shtetet e Bashkuara kanë pranuar rreth 1,500 refugjatë sirianë që nga fillimi i luftës civile në Siri më shumë se katër vjet më parë.

Dje, Shtetet e Bashkuara njoftuan planet për të pranuar të paktën 10.000 refugjatë të tjerë sirianë në vitin e ardhshëm.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Barack Obama ka rënë dakord për të lejuar ardhjen e refugjatëve në vend duke filluar muajin e ardhshëm.

Josh Earnest, Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:

"Presidenti i ka kërkuar ekipit të tij të marrë në shqyrtim zgjerimin e përpjekjeve tona në këtë drejtim. Dhe një gjë që Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë është pranimi i më shumë refugjatëve sirianë".

Shtëpia e Bardhë ka qenë nën trysni për të bërë më shumë rreth trajtimit të krizës humanitare në Evropë.

Të mërkurën, senatori republikan John McCain mbajti një fjalim emocional duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndihmojnë më shumë refugjatët sirianë. Ai qëndroi pranë një fotografie të madhe të një djali 3-vjeçar sirian, trupi i të cilit u gjetë në bregdetin turk, pasi ishte mbytur së bashku me vëllanë dhe nënën, kur anija e tyre e vogël u përmbys gjatë udhëtimit drejt Greqisë.

Senatori McCain tha se imazhi është rrëqethës për botën:

"Si mundet populli amerikan të shpjegojë me fjalë fotot e fëmijëve të vdekur dhe refugjatëve të dëshpëruar që po përpiqen t’i shpëtojnë vdekjes? Si mund të thotë Presidenti Obama se është detyrimi ynë moral të bëjmë atë që mundemi për të parandaluar krimet e rënda në botën tonë, por refuzon të ndërmarrë veprime për të ndalur mizoritë që po ndodhin çdo ditë në Siri dhe në mbarë Lindjen e Mesme?"

Njoftimi i djeshëm i Shtëpisë së Bardhë erdhi ndërkohë që një numër rekord i imigrantëve vazhdojnë të shkojnë në Hungari përmes Ballkanit, duke detyruar Austrinë të pezullojë shërbimin ndërkufitar të trenave për shkak të "mbingarkimit të tyre".

Hungaria është një pikë e madhe tranziti për refugjatët, të cilët shpresojnë të arrijnë Gjermani dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore.

XS
SM
MD
LG