Lidhje

Sen. Murphy: SHBA mbështet dialogun në rajon


Kryetari i Nën-komisionit të Jashtëm për Çështjet Evropiane në Senatin e SHBA, senatori Christ Murphy tha sot në Tiranë se huliganizmi nuk duhet të ndërhyjë në marrëdhëniet mes vendeve.

Senatori Murphy ishte për vizitë në Beograd kur u zhvillua ndeshja e futbollit Serbi-Shqipëri në 14 tetor.

“Huliganizmi i futbollit nuk duhet lejuar të bjerë ndesh me forcimin marrëdhënieve mes vendeve të këtij rajoni” - tha senatori Murphy. Ai theksoi se këtë mesazh ia ka përcjellë kryeministrit serb Vuçiç.

Senatori Murphy, i cili ishte sot për vizitë në Shqipëri tha për median se i kishte kërkuar kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç që t'i rikonfirmonte kryeministrit shqiptar Edi Rama vizitën në Beograd.

Deklarata e tij erdhi pak para se zyra e kryeministrit Rama të njoftonte se dy kryeministrat kishin rënë dakord në një bisedë telefonike që takimi të shtyhej nga 22 tetori në 10 nëntor.

Zoti Murphy tha se kur midis vendeve dalin të tilla probleme, udhëheqësit e shteteve duhet të bisedojnë.

“Nëse vazhdon dialogu në rajon, SHBA do të qëndrojë përkrah” - tha ai.

Senatori Murphy u takua në Tiranë me drejtuesit kryesorë të shtetit shqiptar, presidentin Nishani, kryetarin e parlamentit, Ilir Meta, ministrin e jashtëm, Ditmir Bushati dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në këto takime ai e cilësoi Shqipërinë si mikun më të mirë të SHBA-së në rajon.

“Me angazhimin në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme, Shqipëria ka qëndruar përkrah SHBA-së. Edhe SHBA është koha të rritin përkushtimin e tyre në Shqipëri” - tha ai. Vizita e tij në Tiranë është pjesë e një turi në rajon që përfshiu Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG