Lidhje

SHBA, presion për të mos lejuar refugjatë sirianë


Guvernatorë të disa shteteve amerikane kanë thënë se nuk do të pranojnë refugjatë sirianë në shtetet e tyre, duke sfiduar planin e Presidentit Barak Obama për të pranuar 10 mijë refugjatë sirianë në Shtetet e Bashkuara. Portat po mbyllen pasi autoritetet franceze arritën në përfundimin se të paktën një ndër autorët e sulmeve të së premtes në Paris kishte shkuar në Evropë si refugjat nga Siria.

Ata që duan t’ua mbyllin dyert sirianëve në Shtetet e Bashkuara thonë se pas sulmeve të Parisit nuk ka dyshim që me refugjatët mund të futen në vend edhe terroristë.

PAT MCRORY, GUVERNATOR I KAROLINËS SË VERIUT

“I kërkoj presidentit dhe qeverisë federale të ndalin dërgimin e refugjatëve nga Siria në Karolinën e Veriut deri kur të jemi plotësisht të kënaqur me rigorozitetin e kontrollit të rekordeve nga qeveria federale dhe me kontrollet e sigurisë mbi refugjatët që futen në vend”.

Udhëheqësit politikë amerikanë janë nën presion nga drejtime të ndryshme për të strehuar viktimat e terrorit dhe për të garantuar sigurinë e amerikanëve. Kandidatit republikan presidencial Ben Carson iu drejtua dje pyetja se si do të vepronte me refugjatët sirianë:

“Do të ndalja ardhjen e refugjatëve të tjerë. Mendoj se Kongresi duhet të ndalë fondet për të gjitha programet që u mundësojnë këtyre njerëzve ardhjen në vendin tonë”.

Administrata Obama këtë vit rriti numrin e refugjatëve që vijnë nga Siria në Shtetet e Bashkuara nga 2 mijë në 10 mijë. Por këto shifra janë të ulëta krahasuar me të paktën 160 mijë sirianë dhe të tjerë që kanë shkuar në Evropën Perëndimore. Në Turqi, Jordani dhe Liban ka 1 milionë të tjerë në kampe.

Në komentet në takimin e G20 dje në Turqi, zoti Obama hodhi poshtë idenë e bllokimit të futjes së refugjatëve sirianë në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk duhet të harrojmë se shumë nga këta refugjatë janë edhe vetë viktima të terrorizmit. Prandaj po largohen. Nëse u përplasim derën në fytyrë do të tradhtonim vlerat tona”.

Aktivistët për të drejtat e refugjatëve kundërshtojnë edhe propozimet për kontrolle më të hollësishme të atyre që presin të futen në Shtetet e Bashkuara, pasi argumentojnë se Departamenti i Sigurisë Kombëtare zbaton kontrolle mjaft të hollësishme në protokollin aktual.

XS
SM
MD
LG