Lidhje

Bashkëpunim SHBA-Turqi kundër ISIS në Siri


Shtetet e Bashkuara thanë sot se po bashkëpunojnë me Turqinë për një plan për t’i sprapsur kryengritësit e Shtetit Islamik nga Siria veriore, një fushatë që do të shakllëzonte më tej përfshirjen e Ankarasë në luftën kundër militantëve në rajon.

Një zyrtar amerikan u tha agjencive të lajmeve se synimi është krijimi i një “zone të lirë nga Shteti Islamik”, për të patur më tepër siguri përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë. Por zyrtari tha se operacioni i përbashkët ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë nuk do të përfshinte imponimin e një zone ndalim-fluturimi në rajon, një kërkesë prej një kohe të gjatë e Turqisë.

Shtetet e Bashkuara shqetësohen se krijimi i një zone ndalim-fluturimi për të bllokuar sulmet ajrore të qeverisë siriane në rajon do t’i angazhonte më tej forcat amerikane në luftën 4-vjeçare që janë duke zhvilluar disa grupe me synim përmbysjen e presidentit sirian Bashar al-Assad.

Pas hezitimit për disa muaj, Turqia javën e kaluar filloi sulme ndaj objektivave ushtarake në kufirin me Turqinë, pasi një sulm vetëvrasës shkaktoi 32 të vrarë dhe një makinë-bombë la të vrarë 2 ushtarë turq.

Ankaraja po ashtu ra për herë të parë dakord që t’i lejojë SHBA të përdorin bazën ushtarake të Incirlik-ut për sulme ajrore kundër kryengritësve, duke e shkurtuar së tepërmi distancën për avionët ushtarakë që deri tani kanë kaluar përmes hapësirës ajrore të Irakut për të kryer sulme kundër objektivave të Shtetit Islamik në Sirinë veriore.

Megjithatë, sulmi ajror i Turqisë për t’i larguar luftëtarët e Shtetit Islamik nga kufiri me Sirinë ka mundësi t’i komplikojë luftimet në rajon, ku kurdët sirianë janë forcat më të efektshme që luftojnë me ekstremistët në Siri dhe në Irak. Por Ankarja druhet se mos kurdët e Sirisë nxisin një kryengritje kurde brenda Turqisë.

Turqia ka kërkuar një takim të posaçëm të martën të vendeve anëtare të NATO-s, për të diskutuar mbi shqetësimet e sigurisë.

Aleanca tha se takimi ishte kërkuar “bazuar tek serioziteti i siutatës pas sulmeve terroriste gjatë ditëve të fundit.”

Partia kurde PKK tha se marrëveshja e paqes me Ankaranë kishte humbur tërësisht kuptimin pas sulmeve ajrore të Turqisë.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se fillimi i ofensivës kundër objektivave terroriste ishte e drejtë e Ankarasë, përfshirë goditjen ndaj Partisë Punëtore të Kurdistanit, PKK, të premten gjatë natës në Irakun verior. Kjo është ofensiva e parë kundër grupit të ndaluar me ligj në Turqi, që nga shpallja e marrëveshjes së paqes më 2013.

XS
SM
MD
LG