Lidhje

SHBA, Britania dhe Gjermania – për Kosovën në UNESCO


Përfaqësuesit amerikan, britanik e gjerman në UNESCO - në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB-së

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në UNESCO, mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë.

Në një deklaratë të përbashkët, ata thanë se kjo do të çonte përpara qëllimet e UNESCO-s dhe do të kishte përfitime për të gjitha komunitetet në Kosovë sikundër edhe për komunitetin global.

Me anëtarësimin në UNESCO pasojnë edhe përgjegjësitë solemne. Së këndejmi mirëpresim përkushtimin e qeverisë së Kosovës për t’ju përmbajtur detyrimeve të rrepta dhe formale ndërkombëtare që sjell anëtarësimi, përfshirë mbrojtjen e monumenteve të rëndësishme fetare e kulturore, posaçërisht ato të përfshira në listën e trashëgimisë së UNESCO-s dhe për të mbrojtur trashëgiminë ortodokse serbe”.

Në deklaratë thuhet se “duke respektuar kushtetutën e UNESCO-s dhe duke zbatuar në tërësi detyrimet që përmban ajo për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë, anëtarësimi i Kosovës do të rris transparencën kundrejt zonave të trashëgimisë dhe mirëmbajtjes së tyre. Kjo do të ndihmonte paqen e sigurinë duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtarë nëpërmjet arsimit, shkencës e kulturës si dhe zhvillimin ekonomik në të mirë të popullsisë së re të Kosovës dhe të rajonit”.

Në deklaratë, ambasadorët shprehin gatishmërinë për të punuar me qeverinë e Kosovës në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga anëtarësimi duke ndihmuar forcimin e përpjekjeve për integrimin shoqëror dhe për të forcuar mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore e fetare të saj.

Deklarata e publikuar në faqen e internetit të qeverisë britanike, u bë disa ditë para se Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s që po i zhvillon punimet në Paris, të debatojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Kërkesën e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria, ndërsa është mbështetur nga 45 vende. Vendimi përfundimtar pritet të debatohet të hënën më 9 nëntor.

Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb".

Kreu i Kishës Ortodokse në Serbi, patriarku Irinej, tha të martën se të gjithë duhet të ngrenë zërin për të mbrojtur Kosovën. “Nëse ndodhë përdorimi i forcës, duhet të bëjmë gjithçka që me dashje apo me forcë ta kthejmë”, tha ai.

Autoritetet në Kosovë dënuan fjalorin e përfaqësuesve serb, ndërsa thanë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Kërkesa e Kosovës është futur në rend të ditës më 21 tetor në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, i cili miratoi edhe projekt rezolutën me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës, e cila mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit, nevojiten dy të tretat e votave

XS
SM
MD
LG