Lidhje

SHBA, BE të shqetësuara nga situata në Ukrainë


Ndërkohë që mijëra njerëz në Ukrainë vazhdojnë të protestojnë kundër Presidentit Viktor Yanukovych dhe vendimit të tij për të mos thelluar lidhjet me Bashkimin Evropian, vendet e tjera po shprehin shqetësimin e tyre rreth situatës në vend, veçanërisht ndaj shtypjes së protestuesve nga policia.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s në takimin në Bruksel të martën lëshuan një deklaratë duke dënuar "përdorimin e tepruar të forcës" kundër protestuesve.
Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se është e rëndësishme që e drejta e ukrainasve për organizimin e protestave paqësore të respektohet.

"Ne të gjithë në komunitetin ndërkombëtar jemi shumë të shqetësuar në lidhje me dhunën, përfshirë dhunën policore që pamë në Ukrainë gjatë fundjavës. Shpresoj se veprimet e dhunshme do të hetohen plotësisht dhe përgjegjësit e saj do të dalin para drejtësisë. Dyert e Bashkimit Evropian mbeten të hapura për Ukrainën", tha zoti Hague.

Kryeministrja ukrainase Mykola Azarov ka thënë se Ukraina dëshiron të intensifikojë integrimin në BE, por nuk mund të përballojë humbjet tregtare me Rusinë, e cila është investitori dhe partneri tregtar më i madh i huaj i vendit dhe kundërshton thellimin e marrëdhënieve Ukrainë -BE.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha të martën në një konferencë shtypi pas takimit të NATO-s në Bruksel se zoti Yanukovych " padyshim ka marrë një vendim personal" me të cilin populli ukrainas nuk është dakord. Duke iu referuar Rusisë, ai i cilësoi veprimet e saj një "luftë të hapur dhe të papërshtatshme në lidhje me influencën e saj mbi vendimet e Ukrainës."

"Ne mendojmë se ata (ukrainasit) duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre. Ata duhet të jenë në gjendje të vendosin se më kë duan të lidhin marrëdhënie tregtare, pa patur frikë nga hyrja në një luftë tregtare, ose kushtet personale apo kombëtare. Zgjedhja e tyre duhet të bazohet në përfitimet që ajo mund të ofrojë për vendin", tha zoti Kerry.
XS
SM
MD
LG