Lidhje

SHBA, NATO mbështetje për luftën e Irakut ndaj ISIS


Pas përparimeve të fundit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, komuniteti ndërkombëtar po shpreh mbështetje për përpjekjet për t’iu kundërvënë militantëve. Presidenti amerikan Barack Obama diskutoi rreth strategjive kundër Shtetit Islamik dhe terrorizmit global në një takim mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos Jens Stoltenberg.

Presidenti Obama e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të luftojnë Shtetin Islamik dhe kërcënime të tjera terroriste në partneritet me vende të tjera.

"Ne po punojmë afër me aleatët e Natos për të siguruar që në partneritet me vende të tjera në kuadër të luftës kundër-terrorizmit, të vazhdojmë të koordinojmë në mënyrë efektive luftën kundër grupit ISIL. Të 28 vendet anëtare të Natos janë anëtare të koalicionit për të mbështetur qeverinë irakiane në luftimet kundër grupit ISIL."

Pas bisedimeve me zotin Obama, Sekretari i Përgjithshëm i Natos Stoltenberg tha se aleanca po përgatitet për t’u përballur me sfidat nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

"Ne po shtojmë përgatitjen dhe gadishmërinë e forcave tona. Aleatët evropianë po marrin drejtimin e krijimin të një force të shpejtë, një force të përbashkët dhe përveç kësaj ne kemi angazhimin e madh dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara."

Takimi të martën përkoi me publikimin e një videoje nga mbrojtja britanike ku tregohen avionët e saj duke kryer sulme ajrore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik në veri të Irakut, përfshi bunkerët dhe artilerinë e tyre.

Shtetet e Bashkuara po japin mbështetje këshilluese dhe disa pajisje ushtarake për ushtrinë irakiane. Por forcat qeveritare kanë nevojë për ndihmë nga milicitë lokale.

Nuk është një situatë ideale, tha analisti Douglas Ollivant për televizionin Alhurra.

"Do të dëshiroja të kishte forca që janë vetëm nën komandën e qeverisë irakiane, por ky nuk është realiteti. Pjesëmarrja e këtyre forcave është më mirë sesa Shteti Islamik të rimarr Ramadin."

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qeverinë e Irakut kundër ndonjë veprimi që mund të rindezë një konflikt sektar.

XS
SM
MD
LG