Lidhje

Përdorimi i fetusit për kërkime mjekësore


Një organizatë amerikane e shëndetit të grave e financuar nga qeveria po tërheq vemendjen e shtypit pas publikimit të disa video-regjistrimeve të fshehta që tregojnë disa prej punonjësve të saj duke diskutuar mundësinë e dhënies së indeve të fetusit të dështuar për kërkime mjekësore. Grupi kundër abortit, përgjegjës për regjistrimet sekrete thotë se të punësuarit në video janë duke ofruar pjesë fëmijësh për shitje; akuzë që organizata e mohon fuqishëm. Julie Taboh e Zërit të Amerikës njofton se ndërkohë që shitja e indeve të fetusit është kundër ligjit në Shtetet e Bashkuara, aborti dhe përdorimi i indeve të dhuruara të fetusit për kërkime mjekësore janë veprime të ligjshme.

"Nga 30 në 100 dollarë, për këtë lloj po flasim, dakord?"

Videot janë regjistruar fshehurazi dhe u lëshuan nga anëtarët e një grupi kundër abortit i quajtur Qendra për Përparim Mjekësor.

Anëtarët e grupit, duke u paraqitur si blerës të indeve të fetusit për kërkime mjekësore, pohojnë se punonjësit e organizatës Planifikimi Prindëror, organizatë e kujdesit shëndetësor të grave me fonde qeveritare që gjithashtu kryen aborte, diskutoi shitjen e pjesëve të fëmijës me ta.

Kjo është një akuzë që organizata e mohon me forcë, duke thënë se ajo kërkon para vetëm për të mbuluar koston.

"Dua të qartësoj se pretendimi që kjo organizatë nxjerr fitime nga indet e dhuruara nuk është i vërtetë. "

Ndërsa është e paligjshme për të përfituar nga donacionet e indeve në SHBA, organizatat mund të sigurojnë indet e fetusit për kërkime mjekësore në qoftë se nëna jep pëlqimin e saj.


Por ligjvënësit konservatorë janë mes amerikanëve që thonë se edhe kjo është e gabuar.

Senator Tim Scott
"Kjo është një çështje rreth njerëzimit tonë."

Senatorja Joni Ernst
"Planned Parenthood është për marrjen e pjesëve të trupit të foshnjave të palindur."

Megjithatë, kërkuesit mjekësor në SHBA janë duke punuar me indet e fetusit për dekada të tëra. Kërkimet kanë ndihmuar në zhvillimin e vaksinës së poliomielitit, dhe po ndihmon në kurimin e sëmundjeve të tilla si Parkinsoni dhe Sida.

Biologu Akhilesh Pandey përdor inde të fetusit në laboratorin e tij në Universitetin Johns Hopkins në Baltimore, Maryland.

"Mendoj se po përfitojnë shumë nga përparimet që kanë ardhur nga kërkimet në indet e fetusit; si testet e shtatzënisë, apo zbulimin e hershëm të kancerit."

Doktor Pandey thotë se qelizat mund të rriten dhe të zëvendësojnë qelizat që janë shkatërruar nga sëmundja, për shembull në tru, e në zemër - dhe kanë aftësi për të shëruar."

Por disa kundërshtarë të abortit thonë se përdorimi i indeve të fetusit është jo-etik.

Arina Grossu e Këshillit për Kërkimeve Familjare në Uashington, DC;

"Qelizat e fetursit të dështuar rrjedhin ose nga një foshnje e lindur parakohe ose nga qelizat e gjakut të kordonit të kërthizës pasi një grua ka lindur, si dhe në rastet e aborteve. Por, në rastet kur foshnjes i duhet të vdesë në proces, apo të vritet për t’i marrë pjesë indesh për t'i përdorur, kjo nuk është etike. "

Por dr. Pandey beson se nëse qasja në indet e fetusit është e kufizuar, shkencëtarët do të kenë mundësi të kufizuara.

"Mendoj se kjo do të na lërë shumë vite prapa sepse ne nuk jemi të sigurt se çfarë procesi ndodh në indin e fetusit gjatë zhvillimit për ta ri-krijuar nga mjete të tjera ".

Ndërsa debati publik mbi burimin e indeve të fetusit vazhdon, shkencëtarët si Dr. Pandey do të vazhdojnë të punojnë me qeliza të adaptueshme për zhvillimin e vaksinave dhe kurave për një numër të panumërt sëmundjesh të rënda.

XS
SM
MD
LG