Lidhje

SHBA, Britania paralajmërojnë për sanksione të tjera ndaj Rusisë


Britania dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë se do të goditet nga sanksione më të zgjeruara ekonomike në se përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të 25 majit në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët sot pas bisedimeve në Londër, sekretari i jashtëm britanik William Hague tha se sjellja e Rusisë ndaj zgjedhjeve do të përcaktojë në se ajo do të jetë objektiv i sankioneve më të gjera ekonomike dhe tregëtare, nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. ,

Duke folur në kryeqytetin britanik pas bisedimeve sot, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se shpreson që Rusia do të inkurajojë separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore të punojnë përmes procesit që tashmë ka filluar – duke iu referuar bisedimeve për bashkimin kombëtar që filluan dje në Kiev pa pjesëmarrjen e separatistëve.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës thotë se ushtria ukrainase ka shkatërruar dy baza ushtarake të përdorura nga kryengritësit pro - rusë. Sot gjatë një fjalimi në parlament presidenti i përkohshëm ukrainas Oleksandr Turchynov tha se gjatë një operacioni kundër terrorizmit, forcat ukrainase shkatërruan bazat e separatistëve në Slovjansk dhe Kramatorsk.

"Gjatë një operacioni kundër terrorizmit pranë qytetit të Kramatorskit, një bazë e kryengritësve u shkatërrua plotësisht. Mbrëmë u shkatërrua një bazë tjetër e kryengritësve afër Slovyanskit. Një zonë pesë kilometërshe përreth një stacioni televiziv në Kramatorsk u çlirua dhe terroristët janë hequr".

Zoti Turchynov tha se trupat urkainase gjithashtu kanë marrë kontrollin e antenave televizive në Slovjansk.

Presidenti Turchynov foli edhe mbi bisedimet për unitet kombëtar, të cilat filluan dje. Bisedimet u zhvilluan pa pjesëmarrjen e separatistëve pro- rusë, të cilët po kërkojnë autonomi nga Kiev në lindje dhe juglindje të vendit.

Bisedimet, të cilat hapen 11 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës, janë pjesë e një plani të mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Analistët thonë se mospërfshirja e separatistëve në këto bisedime ngre dyshime mbi mundësinë që ato të zbusin tensionet etnike që kërcënojnë ndarjen e vendit.

Separatistët nuk i kanë njohur bisedimet e Kievit.
XS
SM
MD
LG