Një nga aeroplanmbajtëset më moderne amerikane u ankorua në brigjet japoneze, një tregues për zgjerimin e lidhjeve ushtarake mes Uashingtonit dhe Tokios.
Anija me energji bërthamore “USS Ronald Reagan” u prit sot me ceremoni nga zyrtarët japonezë, në portin Yokosuka.
Në ceremoni foli Sekretari amerikan i Marinës Ray Mabus, i cili tha se simbolika e pranisë së saj nuk mund të ekzagjerohet.
Anija gjigande “USS Ronald Reagan” është vetëm njëra prej 10 aeroplanmbajtëseve amerikane me energji bërthamore. Ajo zëvendëson aeroplanmbajtësen “USS George Washington”, e cila po kthehet në Shtetet e Bashkuara për t’u riparuar dhe modernizuar.
Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Japonisë e mirëpriti mbërritjen e anijes së re, duke thënë se ajo “do të kontribuojë në sigurinë e Japonisë dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.”