Lidhje

Gjendja në Ukrainë, e acaruar


Presidenti i në detyrë i Ukrainës, Oleksandr Turchynov, tha sot se nuk është kundër një referendumi kombëtar për të vendosur se çfarë vendi duhet të jetë Ukraina. Ai tha se është i sigurt që shumica do të mbështesë një Ukrainë të bashkuar dhe të pavarur, ndoshta duke i dhënë më shumë të drejta pjesës lindore.

Gjendja në Ukrainën lindore mbetet e acaruar ndërkohë që zoti Turchynov ka kërcënuar të ndërmarrë atë që e ka quajtur “operacion anti-terrorist në shkallë të gjerë” kundër pro-rusëve, që kanë marrë nën kontroll ndërtesat qeveritare në disa qytete.

Presidenti Turchynov ka premtuar amnisti për ata që do të dorëzojnë armët në rrugë paqësore. Por ai thotë se nuk do të lejojë që Rusia të marrë pjesën lindore të Ukrainës në të njëjtën mënyrë siç aneksoi Krimenë muajin e kaluar.

“Po u drejtohem atyre që duan të mbrojnë Ukrainën. Synimi kryesor është të mos lejojmë destabilizimin e Ukrainës dhe të mos lëmë të përfitojë armiku dhe agjentët e tij që synojnë jo vetëm pengimin e zgjedhjeve por edhe të rrëzojnë qeverinë e të krijojnë kaos dhe destabilizim,” tha zoti Tyrchynov.

Deri tani, nuk ka shenja se demostruesit pro-rusë po i dëgjojnë kërkesat e presidentit.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha sot se Moska nuk po përfshihet në çështjet e Ukainës. Ai paralajmëroi se nëse Kievi përdor forcë kundër protestuesve në lindje të vendit, kjo do të minonte çdo mundësi për zgjidhjen e krizës.

RUSIA NËN KRITIKA NË KËSHILLIN E SIGURIMIT

Rusia u vu nën kritika të ashpra mbrëmë, gjatë një takimi të ngutshëm të Këshillit të Sigurimit. Ambasadorja amerikane Samantha Power akuzoi Rusinë si autore dhe koreografe të dhunës në Ukrainë:

“Është e vështirë të gjesh një përputhje mes veprimeve dhe propagandës së Federatës Ruse. Veprimet ushtarake të Rusisë shkojnë nga mobilizimi i 40 mijë trupave në kufi e deri te veprimtaritë subversive brenda Ukrainës. Është e vështirë të gjsh një përputhje mes këtyre akteve dhe thirrjeve të Moskës për diplomaci dhe ulje tensioni, thirrje që ne do të dëshironim të ishte e sinqertë.”

Nga ana e tij, ambasadori rus Vitaly Churkin tha se Perëndimi ka fuqinë dhe ndikimin për ta çuar Ukrainën drejt dialogut dhe larg forcës.

“Në ditët dhe javët pas zhvillimeve të fundit kemi patur përshtypjen se të paktën në kontaktet që ka patur zoti Lavrov dhe zotit Kerry, ky i fundit ka qënë vërtet i interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Por nëse kjo është ose jo e vërtetë, kjo do të shihet shpejt, nëqoftëse u jepet fund provokimeve të Kievit,” tha zoti Churkin.

Rusia këmbëngul se ka të drejtën për të mbrojtur rusët që gjenden të kërcënuar në Ukrainë. Rusia akuzon qeverinë e përkohëshme të Ukrainës si anti-ruse dhe ekstremiste.

Diplomatë të lartë rusë, amerikanë, ukrainas dhe të Bashkimit Evropian pritet të zhvillojnë bisedime të ngutshme më 17 prill në Gjenevë. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se nëprersidenti Joe Biden do të shkojë në Kiev më 22 prill.
XS
SM
MD
LG