Lidhje

Papa Françesku, meshë në sheshin Nënë Tereza


Papa Francesku nisi sot vizitën në Shqipëri me vlerësimet më të larta për harmoninë fetare të popullit shqiptar. Këto komente ai i bëri gjatë fluturimit drejt Shqipërisë, duke theksuar se paqja midis feve është një shenjë e mirë për botën. Papa u prit në aeroportin e Rinasit nga Kryeministri Edi Rama, me të cilin edhe shkëmbeu edhe dhuratat e rastit. Zoti Rama i dhuroi Papa Franceskut një vazo qelqi me dheun e tokës shqiptare.

Papa Françesku drejton meshën në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Të dy anët e rrugës nga aeroporti deri në sheshin Nënë Tereza ishin të mbushura plot me qytetarë që përshëndesnin Atin e Shenjtë në këtë vizitë të rëndësishme. Ai uli xhamat e makinës dhe përshëndeti mijëra shqiptarë që kishin dalë për ta mikpritur.

Pas takimit me Presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe kryetarin e bashkisë Lulzim Basha, Ati i Shenjtë udhëhoqi meshën në sheshin Nënë Tereza, duke u lutur për paqe në shtëpitë shqiptare, në zemrat dhe në në kombin shqiptar.

“Pati edhe vende që ia mbyllën derën Zotit dhe ndaluan besimin. Edhe vendi juaj u mbyll me vargonjtë e mohimit. Ata u përpoqën ta nxjerrin zotin nga zemrat e njerëzve dhe donin t'i frikësonin besimtarët” - tha ai.

Në shekuj të gjitha besimet janë persekutuar në këtë vend, theksoi Ati i Shenjtë. “Shqipëria ka qenë tokë martirësh, shumë ipeshkvinj, meshtarë e besimtarë e paguan me jetë besimin e tyre. Nuk munguan aktet sakrifikuese, por shumë prej tyre nuk u përulën përballë kërcënimeve. Zoti ishte pranë jush dhe ju mbajti në këmbë. Shqiponja në flamurin e Shqipërisë jep shenjën e shpresës. Zoti është pranë nesh në çaste të vështira” - tha ai.

“Sot portat e Shqipërisë janë të hapura. Kam ardhur t'ju mbështes e t'ju jap shpresë. Fluturoni lart, si shqiponja, por mos e harroni folenë" - theksoi Ati i Shenjtë. Ai tha se nga aeroporti dhe deri në sheshin nënë Tereza pa shumë të rinj, dhe se shqiptarët janë një popull i ri në moshë. është një popull ku besimet e ndryshme jetojnë si vëllezër. "Falemnderit - tha Papa Francesku - për shembullin e madh që jepni në harmoninë fetare. Mos harroni historinë e vendit tuaj dhe ecni përpara me shpresën e jetës” - u tha ai pjesëmarrësve në meshën e sheshit Nënë Tereza.

Pa meshës, Papa Francesku pati një takim të vecantë me përfaqësuesit e gjithë besimeve fetare, ai vizitoi një shkollë, dhe më pas katedralen e Shën Palit, e në fund vizitoi një qendër të kujdesit për fëmijët e sëmurë.

Vizita e Papa Francesktu u prit me interesim të madh gjatë dy javëve të fundit, sidomos për mesazhet e tij mbi të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe harmoninë fetare në vend. Kjo është vizita e parë në Europë e Papa Franceskut, në një vend ku, tha ai, besimtarët kanë vuajtur shumë nga diktatura.

XS
SM
MD
LG