Lidhje

50 vjetori i ligjit për të drejtat civile


Presidenti amerikan Barak Obama shprehu nderim për punën e paraardhësit të tij, Lyndon Johnson në aspektin e të drejtave civile që çoi në zgjedhjen e presidentit të parë afrikano- amerikan gati gjysëm shekulli më vonë. Zoti Obama mbajti një fjalim dje në një ceremoni që shënonte 50 vjetorin e nënshkrimit të Ligjit të të Drejtave Civile amerikane. Ish-presidentët amerikanë George W. Bush , Bill Clinton dhe Jimmy Carter, udhëheqës të të drejtave civile dhe personalitete të tjerë morën pjesë gjithashtu në Samitin tre-ditor të të Drejtave Civile në Austin, të Teksasit.

Presidenti Obama i kujtoi publikut në Bibliotekën Presidenciale Lyndon Baines Johnson domethënien e Ligjit për të Drejtat Civile të vitit 1964 i cili pak kohë më pas u pasua nga Ligji për të Drejtat e Votimit dhe ligje të tjerë që janë pjesë e shoqërisë civile amerikane. Ai tha se këto masa të rëndësishme hapën mundësi të reja për shumë amerikanë:

“Jo vetëm të bardhët dhe zezakët por edhe gratë, dhe amerikano-latinët, aziatikët dhe amerikanët vendas. Edhe amerikanët homoseksualë, apo ata me aftësi të kufizuara. Ato hapën dyert për ju dhe për mua.”

Zoti Obama vlerësoi ish-presidentin Johnson për guximin e tij në mbrojtje të një çështjeje që shumë zyrtarë thoshin se ishte e humbur.

“Madje një ndihmës mjaft i guximshëm tha se ai nuk mendonte se presidenti duhej të shpenzonte kohë dhe pushtet politik për çështje të humbura, sado të rëndësishme të ishin. Presidenti Johnson iu përgjigj “Mirë, por për çfarë është presidenca atëherë? Për çfarë e kemi presidencën nëse ajo nuk lufton për çështjet në të cilat beson?”

Zoti Obama shtoi se lufta e nisur nga presidenti Johnson ende nuk ka përfunduar.
Veterani i Lëvizjes për të Drejtat e Njeriut John Lewis, tani kongresmen nga shteti i Xhorxhias vlerësoi mirëkuptimin e zotit Obama se ka ende shumë punë për t’u bërë në atë aspekt.

“Prandaj, si president, ai ka marrë përsipër të sjellë ndryshime në Amerikë duke u dhënë fund dy luftërave dhe duke luftuar për reformën e sigurimeve shëndetsore ... Ju faleminderit, zoti President.”

Presidenti amerikan e përfundoi fjalimin e tij me një ton optimist, duke thënë se historia amerikane është një histori përparimi, pavarësisht sfidave në rrugën e saj.

XS
SM
MD
LG