Lidhje

Walker tërhiqet nga gara për president


Guvernatori i Uiskonsinit Scott Walker ka pezulluar fushatën e tij për të marrë emërimin e partisë republikane, pasi ai shumë shpejt humbi statusin e kryesuesit të garës presidenciale të republikanëve duke u bërë një kandidat me një mbështetje shumë të vogël.

Analistët dhe burime brenda fushatës së tij thonë se guvernatori Walker mori vendimin për t’u tërhequr nga gara për shkak të mungesës së fondeve, pasi ai bëri fushatë intensive në Ajova dhe shtete të tjera të rëndësishme për fushatën republikane, ku ai shihej si kandidat favorizues për mesazhin e tij konservator.

Por të hënën, guvernatori Scott Walker tha se ai ishte i zhgënjyer me garën republikane, dhe se fushata në përgjithësi kishte "rrëshqitur në sulme personale."

"Duke patur këtë në mendje, unë do të pezullojë fushatën time menjëherë. Unë inkurajoj kandidatët e tjerë republikan të marrin në konsideratë të njëjtën gjë, në mënyrë që votuesit të mund të përqëndrohen në një numër më të kufizuar të kandidatëve të cilët mund të ofrojnë një alternativë pozitive, konservatore ndaj kryesuesit të tanishëm të garës".

Komentet e tij ishin një goditje indirekte ndaj biznesmenit miliarder Donald Trump, i cili ka dominuar guvernatorin Walker dhe pjesën tjetër të kandidatëve republikanë me personalitetin dhe retorikën e tij.

Walker tërhoqi vëmendjen kombëtare në vitin 2012, pas një lufte të suksesshme kundër sindikatave të sektorit publik në shtetin e tij, dhe më vonë fitimit të zgjedhjeve të parakohshme, organizimi i të cilave u kërkua nga punonjësit e pakënaqur të sektorit publik, sindikatave dhe mbështetësve të tyre.

XS
SM
MD
LG