Lidhje

Liberalët dhe zgjedhjet presidenciale 2016


Një grup i njohur aktivistësh liberalë po i kërkojnë senatores së Masaçusetsit Elizabeth Warren që të kandidojë për postin e presidentit në vitin 2016. Ndërsa zonja Warren nuk ka shprehur interes, anketat e opinionit publik tregojnë se ish Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, mbetet kandidatja e preferuar e Partisë Demokrate nëse ajo konkurron për postin e presidentit.

Grupi aktivist liberal MoveOn.org thotë se një anketë e 8 milionë anëtarëve të këtij grupimi në mbarë Amerikën tregon mbështetje të fuqishme për senatoren demokrate Elizabeth Warren nga shteti Masaçusets nëse ajo konkurron për postin e presidentit. Grupi MoveOn.org thotë se 81 përqind e të anketuarve e mbështesin idenë për kandidaturën e zonjës Warren. Senatorja ka fituar simpatinë e aktivistëve që kur ajo erdhi në Kongres në janar të viti 2013, ku shpesh ajo ngre zërin për çështje të zgjerimit të hendekut të të ardhurave mes amerikanëve. Anna Galland është drejtore ekzekutive në organizatën MoveOn.org.

“Demokracia dhe ekonomia në vendin tonë gjendet në krizë. Kjo nuk po u shërben klasës së mesme dhe familjeve që punojnë. Senatorja Warren ka ndërtuar karrierën e saj duke luftuar për këtë shtresë dhe duam të shohim këtë të reflektohet përmes kandidimit të saj për postin e presidentit.”

Zonja Warren ka thënë vazhdimisht se nuk ka plane për kandiduar për postin e presidentit në zgjedhjet e vitit 2016. Por zonja Galland thotë se zonja Warren u nxit që të kandidonte për Senatin amerikan në Masaçusets nga aktivistët dhe beson se kjo nxitje mund të funksionojë përsëri.

“Do të ndërmarrim përpjekje të dukshme. Do të punësojmë organizatorë dhe hapim zyra në shtetet ku mbahen zgjedhjet paraprake. Do të shpenzojmë një milion dollarë si fillim për të bërë të sigurtë se senatorja Warren e kupton se miliona amerikanë, përfshi miliona anëtarë të MoveOn.org e mbështesën atë fuqishëm dhe punën e saj në mbështetje të klasës së mesme.”

Gjatë kohës së shkurtër në Senat, zonja Warren është shfaqur si një mbështetësja kryesore e një forme të populismit ekonomik që kërkon të përmirësojë jetën për familjet punëtore dhe të klasës së mesme ndërkohë që kërkon frenimin e abuzimeve të financierëve të pasur në Wall Street.

“Wall Street-i po ecën mirë. Drejtuesit e lartë po fitojnë miliona më shumë dhe familjet e thjeshta amerikane mezi po ja dalin. Duhet ta bëjmë këtë qeveri që të punojë për popullin amerikan ndaj ne jemi këtu për të luftuar për këtë.”

Anketat e opinionit tregojnë se nëse ajo konkurron, senatorja Warren nuk do të jetë kandidatja e preferuar e demokratëve në një garë ku përfshihet edhe ish Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton. Një anketë e kohëve të fundit nga CNN-ORC tregonte se zonja Clinton gëzon një mbështetje prej 65 për qind mes demokratëve e ndjekur nga zonja Warren me 10 për qind dhe nënpresidenti Joe Biden me 9 për qind. Zoti Biden ka thënë se gjatë muajve të ardhshëm do të vendosë nëse do të konkurojë.

Zonja Clinton pritet të njoftojë synimet e saj për Shtepinë e Bardhë në fillim të vitit që vjen. Ajo ka bërë fushatë në mbështetje të kandidatëve demokratë gjatë zgjedhjeve të fundit për Kongresin amerikan dhe është treguar aktive nëpër konferenca që synojnë fuqizimin e rolit të gruas në Amerikë.

“Partia Demokrate dhe Amerika janë në gjendje të mirë atëherë kur ne vërtet jemi mbështetës të një ideje të thjeshtë por ama të fuqishme që është familja. Familja është gur themel i çdo shoqërie. Është gur themeli i partisë dhe shtetit tonë.”

Pavarësisht asaj që flitet rreth senatores Elizabeth Warren, zonja Clinton mbetet qartësisht e preferuara e demokratëve thotë analisti John Fortier me Qendrën për Politika Dypalëshe.

“Që të mundësh Hillary Clintonin është një sfidë e vështirë, por ajo ka ende sfidues dhe një sfidë relativisht të fortë nga e majta gjatë zgjedhjeve paraprake.”

Madje, edhe nëse zonja Warren vëndos të mos konkurrojë, thonë ekspertët, kandidatë të tjerë liberalë po shqyrtojnë futjen në garë. Mes tyre janë guvernatori i Merilandit, Martin O’Malley dhe senatori i Vermontit, Bernard Sanders, një i pavarur ky që zakonisht voton në krahun e demokratëve.

XS
SM
MD
LG