Lidhje

Një javë e ngarkuar politike në Uashington


Përpjekjet për reforma në imigracion si dhe vota në Senat për kandidaturat që ka paraqitur Presidenti Obama për postet kryesore të kabinetit të tij sinjalizojnë një javë të ngarkuar politike këtu në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama shkon nesër në Las Vegas për të siguruar mbështetje publike për të refomuar sistemin e imigracion në Shtetet e Bashkuara. Nevada është një ndër shtetet e shumta me një përqindje të konsiderueshme hispanike që mbështeti në masë dërrmuese rizgjedhjen e Presidentit Obama vjet. Presidenti ritheksoi angazhimin e tij për reformat në imigracion në fjalimin e tij javën e kaluar.

“Rrugëtimi ynë nuk është i plotë deri kur të gjejmë një mënyrë më të mirë për të pritur imigrantët punëtorë, të cilët e shohin Amerikën si tokën e mundësive, deri kur studentë dhe inxhinierë të zgjuar përfshihen në forcën tonë punëtore, në vend që të dëbohen nga Amerika”.

Ligjvënësit amerikanë po punojnë për një projekt-ligj me mbështetje dypartiake, i cili do t’u ofronte një mundësi legalizimi miliona shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme, si dhe për të forcuar sigurinë kufitare në vend. Ja si shprehet Senatori John McCain:

“Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht në kushtet kur 11 milionë vetë jetojnë në këtë vend nën hijen e statusit të paligjshëm. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht në kushtet kur fëmijë të lindur këtu, apo që u sollën këtu nga prindërit në moshë të vogël, jetojnë gjithashtu në hije. Ka ardhur koha për veprim”.

Po këtë javë, Senati pritet të votojë në masë dërrmuese pro kandidaturës së Senatorit John Kerry si shefi i diplomacisë amerikane. Zoti Kerry do të pasojë Sekretaren aktuale të Shtetit Hillari Klinton.

Senati do të hapë edhe procesin e shqyrtimit të kandidatës së Presidentit për Sekretarin e Mbrojtjes, Senatorit Chuck Hagel.

“Chuck Hagel është udhëheqësi që meritojnë trupat tanë. Ai është një patriot amerikan”.

Emërimi i zotit Hagel është kritikuar nga ligjvënësit republikanë, të cilët ngrenë pikëpyetje për qëndrimin e tij ndaj sigurisë së Izraelit. Senatori Lindey Graham:

“Kjo është një kandidaturë provokuese nga ana e Presidentit për të gjithë ne që mbështesim Izraelin”.

Vota në Senat për të mbështetur ose kundërshtuar kandidaturën e zotit Hagel mund të vërë në provë rregullat e reja të Senatit që janë hartuar me synimin për të shmangur ngërçe politike në këtë Dhomë. Javën e kaluar Senati votoi për të kufizuar mundësinë që anëtarë, në mënyrë individuale, të bllokojnë hapjen e procesit për të shqyrtuar një projekt-ligj apo kandidaturë.

Senator Ben Cardin shprehu optimizëm se do të ketë procese më harmonike dhe funksionale:

“Kjo rregullore na jep mundësinë të punojmë së bashku me besim më të madh, për të zgjidhur çështje të vështira me të cilat ballafaqohet vendi”.

Këto çështje përfshijnë borxhin kolosal të vendit dhe shkurtimet në shpenzime që mund të hyjnë automatikisht në fuqi nëse nuk arrihet një marrëveshje për uljen e deficitit.
XS
SM
MD
LG