Lidhje

Uashingtoni i përqendruar tek kriza në kufi


Këtë javë do të mund të ketë shenja nëse Kongresi amerikan, i ndarë politikisht do të miratojë ose jo fondet e kërkuara nga Presidenti Obama për trajtimin e problemit të shtimit të emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin jugperëndimor të SHBA-së. Presidenti Obama ka kërkuar rreth 4 miliardë dollarë për përballimin e krizës së dhjetëra mijëra fëmijë në kufi, që vijnë kryesisht nga Amerika Qendrore, si dhe për rritjen e burimeve federale në kufirin e gjatë të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Është një situatë për të cilën të gjithë janë dakord se është e patolerueshme: të mitur të pashoqëruar që rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Shtetet e Bashkuara, të vendosur në qendra të mbipopulluara dhe që nuk kualifikohen, sipas ligjit aktual amerikan, për deportim të shpejtë në vendin e tyre.

Një mbrojtje më e fortë e kufirit duhet të paraprijë, sipas ligjvënësit republikan Bob Goodlatte.

"Duhet të bëjmë dallime ku është e nevojshme, që të mund të ndalojmë njerëzit dhe t’i dërgojmë sërish në vendet e tyre. Shumica e parave që Presidenti po kërkon është që të vazhdojë procesi i transportimit të këtyre fëmijëve - dhe të rriturve - për në Shtetet e Bashkuara."

Por vetëm rritja e sigurisë në kufi nuk do të zgjidhte problemin, pasi ligji i SHBA-së mandaton seanca dëgjimore emigracioni për të sapoardhurit jo-meksikanë. Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder:

"Ligjet e imigracionit po zbatohen, edhe pse po përballemi me një situatë të jashtëzakonshme, ku mijëra njerëz, veçanërisht të rinj, po vijnë nga Amerika Qendrore. Ligjet tona të emigracionit janë të papërshtatshme. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse të imigracionit. "

Vitin e kaluar, Senati miratoi një riorganizim të sistemit të emigracionit amerikan për të nxitur sigurinë në kufi dhe për të siguruar një rrugë për marrjen e shtetësisë nga miliona emigrantë pa dokumente. Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane nuk ka votuar mbi ligjin e Senatit ose mbi ndonjë alternativë tjetër.

Presidenti Obama është ai që duhet fajësuar për krizën aktuale të kufijve, sipas senatorit republikan John Cornyn.

"Ka një nxitje të fuqishme për njerëzit që të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara. Natyrisht ne kuptojmë njerëzit që kërkojnë mundësi, njerëzit që po përpiqen t’i largohen dhunës. Por presidenti ka nxitur në mënyrë efektive fëmijët dhe prindërit e tyre që të nisin këtë udhëtim të rrezikshëm për jetën e tyre, duke lënë të kuptojë se nuk do të zbatojë ligjin."

Kritika të tilla janë të pabaza për sa kohë që Kongresi nuk bën asgjë, thotë senatori demokrat Robert Menendez:

"Është e lehtë të thuash 'Jo.' Është shumë më e vështirë të jesh konstruktiv. Dhe deri tani ajo që kam dëgjuar si përgjigje ndaj kësaj krize është negativiteti i 'Jo'-së dhe kritikat ndaj Presidentit për përdorimin e pushtetit ekzekutiv, ndërkohë që Kongresi nuk arrin të veprojë sipas të drejtës së vet. Nuk mund të pretendosh të dy gjërat njëkohësisht. Ky është një moment për të bërë thirrje në interesin e kombit dhe jo për lojëra politike, që kam parë të luhen deri tani."

Koha për veprim ndaj kërkesës për financim të Presidentit Obama po skadon. Kongresi do të jetë me pushime nga fillimi i gushtit deri në fillim të shtatorit.

XS
SM
MD
LG