Lidhje

Armët dhe të sëmurët mendorë


Vrasja në masë në qytetin e Santa Barbaras, në Kaliforni, që la gjashtë të vdekur, ka ringjallur një debat në Kongresin amerikan se si të mbahen armët larg duarve të të sëmurëve mendorë. Meqë përpjekjet për të kontrolluar shitjet e armëve kanë qenë të pasuksesshme, disa ligjvënës po përpiqen të reformojnë sistemin e kujdesit shëndetësor për të sëmurët mendorë, për t’u përqëndruar më shumë tek ata që janë të sëmurë rëndë.

“Gjatë 8 viteve të fundit, që kur hyra në moshën e adoleshencës, jam detyruar të jetoj në vetmi, i refuzuar dhe me dëshira të papërmbushura.”

Elliot Rodger besohet të ketë vënë këtë video në YouTube para vrasjeve në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara. Prindërit e tij e paralajmëruan policinë rreth rrezikut të mundshëm nga sëmundja e tij mendore.

Në një forum në Selinë e Kongresit, ligjvenësi Tim Murphy theksoi se ky nuk është rast i izoluar, para tij ka pasur vrasje në masë në një shkollë fillore në Newtown, Connecticut, në një kinema në Aurora, Kolorado, dhe në Tucson, Arizona. Zoti Murphy tha se të gjithë vrasësit e dyshuar kishin një gjë të përbashkët:

“Të gjithë kishin sëmundje mendore të patrajtuara osejo të trajtuara si duhet. Të gjithë dolën jashtë kontrollit në një sistem të cilit i mungonin mekanizmat kryesore për t’i ndihmuar.”

Zoti Murphy ka prezantuar një projekt-ligj që do ta bënte më të lehtë për familjet që kanë të afërm të sëmurë rëndë t’i dërgojnë në spital kundër vullnetit të tyre, nëse ata besojnë se përbëjnë rrezik për veten ose komunitetin.

Ky prind thotë se e mbështet projekt-ligjin:

Edward Kelley, një prind që e mbështet projekt-ligjin, thotë se djali i tij i sëmurë mendor refuzon ndihmë dhe shpesh ka përfunduar duke jetuar nëpër rrugë.

“Ne si familje jemi marrë për 15 vjet me sëmundjen e djalit tonë, që ka arritur në një fazë të tillë të rëndë, që është e pamundur të përshkruhet.”

Shumica e ekspertëve pajtohen se nuk ka vende të mjaftueshme në spitalet për të sëmurët mendorë, dhe se të sëmurët rëndë shpesh përfundojnë në dhoma urgjence ose si të pastrehë. D.J. Jaffe i Organizatës për Politikat e Sëmundjeve mendore, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë përparësitë për sa u përket shpenzimeve:

“Ne nuk mund t’i lëmë jashtë vëmëndjes të sëmurët mendorë. Nuk mund të pretendojmë se ata nuk ekzistojnë.”

Ligjvënësit demokratë po propozojnë një projekt-ligj tjetër, që do të ndalonte njerëzit që dërgohen për t’u trajtuar në spital jashtë vullnetit të tyre, që të blejnë armë.

“Është një projekt-ligj që përqëndrohet vetëm në dhunën nga armët dhe shëndetin mendor.”

Ish-ligjvenësja Gabrielle Giffords, që arriti të mbijetojë, është një prej viktimave të të shtënave në masë, në Arizona, në vitin 2011, kur ajo u plagos në kokë nga një person i armatosur, i sëmurë mendërisht. Ajo është bërë një përkrahëse e fuqishme e ndalimit të armëve.

“Duhet të bëjmë diçka. Do të jetë e vështirë, por tani është koha e duhur. Duhet të veprojmë.”

Disa ligjvënës thonë se ata besojnë se Republikanët dhe Demokratët do të gjejnë gjuhën e përbashkët mbi çështjen e armëve dhe sëmundjeve mendore për t’u përpjekur për të parandaluar tragjedi të tjera.

XS
SM
MD
LG