Lidhje

Shtëpia e Bardhë përshëndet vendimin e Sony Pictures


Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barack Obama përshëndeti vendimin e kompanisë Sony Pictures për të shfaqur filmin e debatueshëm që vë në lojë udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un. Zoti Obama komentoi javën e kaluar se Sony bëri gabim që e tërhoqi filmin, duke thënë se kjo rrezikon të krijojë një precedent ku "diktatorët mund të fillojnë të vendosin censurë” në Shtetet e Bashkuara.

Sony e tërhoqi filmin "The Interview" javën e kaluar pasi kompjuterat e tij u sulmuan virtualisht nga persona të panjohur që kërcënuan për dëme më të mëdha nëse filmi shfaqej në publik. Shtetet e Bashkuara fajësuan Korenë e Veriut për sulmin kibernetik, që rezultoi në publikimin e emailave të korporatës dhe të dhënave personale të punonjësve.

Dje, Sony e ndryshoi vendimin për të tërhequr filmin dhe njoftoi se ai do të shfaqet në mënyrë të kufizuar në disa kinema më 25 dhjetor.

Administrata Obama ka premtuar t’i përgjigjet sulmit kibernetik ndaj Sony-t, por zyrtarët nuk e konfirmojnë dhe as mohojnë nëse Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjën duke shkaktuar ndërprerje të internetit në Korenë e Veriut këtë javë.

"Do t’jua lija koreanoveriorëve të flisnin për internetin. Nuk iu përgjigjemi pyetjeve rreth mundësisë së kundërpërgjigjes amerikane. Nuk do të komentoj mbi këtë temë, sepse përgjigja mund të merrej sikur po pohoj një gjë apo një tjetër," tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Marie Harf.

Pheniani nuk ka komentuar për shkëputjen e internetit, që zgjati për rreth nëntë orë. Por ka mohuar me ngulm se ka gisht në sulmin kibernetik ndaj Sony-t.

Hakerat e quajnë veten "Kujdestarët e paqe” dhe paralajmëruan se do të kenë një fat të hidhur të gjithë ata që tentojnë të shfaqin filmin "The Interview."

Zoti Obama ka thënë se Sony bëri gabim që anuloi filmin. Ai tha se kjo rrezikon të vendosë një precedent ku "diktatorët mund të fillojnë të vendosin censurë” në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG