Lidhje

OBSH nxjerr shifrat e fundit për Ebolën


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i vdekjeve nga epidemia e Ebolës ka arritur numrin 7.500 vetë, ndërsa numri i personave të prekur nga epidemia është rreth 20.000.

Të dhënat më të fundit reflektojnë zhvillimet në Liberi dhe Guine ku vihet re një rënie në ritmin e transmetimit të Ebolës, ndërsa në Sierra Leone rastet vazhdojnë të rriten. Në këto tre vende të Afrikës Perëndimore ndodhin pothuajse të gjitha vdekjet nga Ebola.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se komuniteti ndërkombëtar ka nevojë të nxjerrë mësime nga kjo epidemi, dhe të përgatitet më mirë për valën e ardhshme globale të sëmundjes.

“Duhet të nxjerrim mësime nga Ebola përtej thjesht forcimit të sistemeve publike të shëndetësisë. Komunitetit ndërkombëtar i duhet një kundërpërgjigje e hershme më e mirë dhe më e shpejtë. Kam në plan të kontaktoj vendet anëtare për të parë se çfarë mund të bëjmë më shumë për t’i paraprirë valës së ardhshme të epidemisë. Sot kemi një qëllim afatshkurtër: të kemi zero raste. Edhe një rast i vetëm mundet ta fillojë sërish epideminë.”

Zoti Ban sapo është kthyer nga vendet e Afrikës Perëndimore të prekura më shumë nga Ebola. Sekretari i Përgjithshëm tha se prezenca e tij në Kombet e Bashkuara duhet të dërgojë një mesazh të rëndësishëm për të mos shmangur personat që nuk kanë shenja të Ebolës.

Niveli i vdekjeve në vendet e tjera mbetet i njëjtë, me gjashtë raste në Mali, tetë në Nigeri, dhe një në Shtetet e Bashkuara. Spanja dhe Senegali kanë patur nga një rast të prekur, por asnjë të vdekur.

XS
SM
MD
LG