Lidhje

Gratë jazidi flasin mbi rrëmbimet e ISIS-it


Kur militantët e Shtetit Islamik pushtuan pjesë të Irakut të veriut gjashtë muaj më parë, një nga zonat më të goditura ishte ajo e Jazidëve, një pakicë etnike-fetare që jeton përreth Sinxharit. Militantët thuhet se vranë mijëra burra dhe rrëmbyen gratë e fëmijët. Disa vajza arritën të shpëtonin nga duart e tyre. Ato i treguan korrepondentit të Zërit të Amerikës, Scott Bobb mbi atë që hoqën në Ba'adra, 40 kilometra në veri të Mosulit.

Kampi Ba'adra në Irakun verior, është strehë e rreth 15 mijë të zhvendosurve të pakicës Jazidi. Mijëra të tjerë janë duke u mbajtur rob nga militantët e Shtetit Islamik.

Tetëmbëdhjetë vjeçarja Soham Mohamed u arratis pas gjashtë muajsh në robëri. Ajo ra dakord të fliste nëse nuk zbulohej fytyra dhe emri i saj i vërtetë. Ajo thotë se Shteti Islamik pushtoi fshatin e saj në gusht dhe mori të gjithë burrat.

"Ata na ndanë me forcë nga nënat tona, mua dhe gjashtë vajza të tjera, dhe na dërguan në një shtëpi në Tal Afar. Ushqimi nuk ishte i mirë. Pas një muaji dy djemë erdhën, zgjodhën disa nga ne dhe na çuan në një shtëpi në Mosul".

Soham u përdhunua dhe u rrah disa herë deri para një muaji, kur ajo arriti të ikte nga duart e militantëve. Ajo thotë se vrapoi gjithë natën deri sa gjeti një familje që e strehoi atë. Më vonë ata kontaktuan xhaxhain e saj i cili e shpëtoi.

Luftëtarët e Shtetit Islamik vranë rreth 1.700 njerëz në fshatin Koço. Më shumë se 100 gra të reja u ndanë dhe u dërguan në një shtëpi në Raka, në Sirinë veriore, thotë 22 vjeçarja Sara Hussein. Militantët menjehërë dolën për t’i marrë ato.

"Çdo luftëtar blinte një vajzë për vete. Ata erdhën për të na blerë dhe për të na konvertuar në fenë islame. Na përdhunuan dhe nuk na jepnin ushqim. Askush nuk u kursye. Nëse njëra nga ne rezistonte ata i godisnin të gjithë, duke u thyer duart dhe kokat. Ne nuk mund të bënim asgjë. Nganjëherë tre burra dhunonin një vajzë".

Sara Hussein është e zemëruar nga reagimi i bashkësisë ndërkombëtare, që ajo ajo thotë se ishte tepër i vonuar.

"Të gjitha vendet e mëdha po sulmojnë Shtetin Islamik, Amerika, Arabia Saudite, Australia, Franca, por ato nuk kujdesen për ne. Atyre u intereson vetëm nafta e Irakut. Nëse ata duan të na ndihmojnë ata do të lironin njerëzit tanë të rrëmbyer".

Sara Husein u arratis në nëntor. Ajo dëshiron të dëshmojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet që janë bërë ndaj komunitetit të saj.

XS
SM
MD
LG