Lidhje

Sulmet me avionë pa pilot në Jemen


Shtetet e Bashkuara nuk po japin hollësi mbi njoftimet për sulme amerikane me avionë të telekomanduar që qeveria e Jemenit thotë se kanë ndihmuar në vrasjen e 55 militantëve të Al-Kaidës në ditët e fundit. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes thotë se ka "arsye të mira" për të vazhduar bashkëpunimin me jemenasit për të luftuar kërcënimin që paraqet grupi terrorist i njohur si Al-Kaida në Gadishullin Arabik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ken Bredemeier sjellë hollësitë.

Jemeni, i mbështetur nga siç njoftohet sulmet amerikane me avionë të telekomanduar, ka kryer atë që qeveria e Sanas thotë se ishte një fushatë "e pa precedent" ajrore kundër një baze të Al - Kaidës në malet jugore të këtij vendi të Lindjes së Mesme. Militantët ishin pjesë e Al- Kaidës në Gadishullin Arabik, një grup që është i lidhur me komplote të dështuara terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, përfshirë përpjekjet për të shpërthyer bomba në linjat ajrore amerikane.

Shtetet e Bashkuara nuk diskutuan në hollësi mbi përdorimin e avionëve të tyre të telekomanduar. Por dje, Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, Admirali John Kirby tha se sulmi mbi militantët ishte plotësisht i justifikuar.

"Al - Kaida nuk e ka fshehur faktin se një nga qëllimet e saj filozofike janë sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara, amerikanëve dhe perëndimorëve. Prandaj, unë mendoj se ne kemi arsye të mirë për ta marrë seriozisht këtë synim".

Admirali Kirby tha se ushtria amerikane beson se dega e Al - Kaidës në Jemen është një kërcënim i besueshëm, dhe për këtë arsye Pentagoni vazhdon të ketë "një marrëdhënie të fortë ushtarake me forcat e armatosura të Jemenit".

Majin e kaluar, Presidenti amerikan Barak Obama sqaroi politikat amerikane mbi përdorimin e avionëve të telekomanduar, madje siç tha ai preferenca e qeverisë është të kapë terroristët individualisht, t’i marrë në pyetje dhe pastaj t’i ndjekë penalisht.

"Amerika nuk kryen sulme për të ndëshkuar individët, ne veprojmë kundër terroristëve që përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë për popullin amerikan, dhe ne reagojmë kur nuk ka qeveri të tjera të afta për të trajtuar në mënyrë efektive kërcënimet".

Presidenti amerikan tha se "duhet të ketë një siguri të madhe" që gjatë sulmeve të mos vriten ose plagosen civilë.
Por Letta Tayler, një studiuese e terrorizmit në organizatën Human Rights Watch në Nju Jork, theksoi se Jemeni e pranoi se tre civilë u vranë gjatë sulmeve të fundit me avionë të telekomanduar. Ajo thotë se zoti Obama dhe qeveria amerikane nuk kanë treguar transparencë në lidhje me përdorimin e avionëve të telekomanduar dhe pasojat e sulmeve.

"A po veprohet në përputhje me ligjin në këto sulme vdekjeprurëse kundër terroristëve të dyshuar, pasi ne nuk e dimë me siguri nëse këta njerëz janë terroristë apo jo, sepse Shtetet e Bashkuara nuk do të na japin informacione në lidhje me këto sulme? Unë vetë kam zbuluar raste të qarta në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë vrarë njerëz të gabuar gjatë sulmeve në Jemen".

Ajo thotë se amerikanët "kanë nevojë për përgjigje të qarta" për atë që Shtetet e Bashkuara po bëjnë në Jemen, pra kë po vrasin dhe për çfarë arsye.
XS
SM
MD
LG