Lidhje

SHBA, debati i demokratëve


Kandidatët presidencialë të partisë demokratike në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders në përgatitje për zgjedhjet e javës tjetër në nju Hamshër, debatuan në një forum me qytetarët në këtë shtet, të organizuar nga kanali televiziv CNN, për të nxjerrë në pah filozofitë e tyre të ndryshme. Por pyetja se cili kandidat ka pikëpamje të vërteta progresive duket se bëri bujën më të madhe.

"Disa njerëz thonë se jam e moderuar dhe unë e them me krenari se jam e moderuar. Këtë e ka thënë zonja Klinton. Nuk mund të thuash një ditë se ti je e moderuar dhe një ditë tjetër progresive. Disa nga miqtë e mi më të mirë janë të moderuar. I dua të moderuarit. Por nuk mund të jesh i moderuar dhe progresiv, ato janë dy gjëra të ndryshme," thotë Bernie Sanders, kandidat demokrat për president.

"Unë isha disi e habitur sot që senatori Sanders e ngriti veten në një përkufizues të termit progresiv, sepse sipas përkufizimit të përdorur gjatë deklaratave në fushatë dhe në twitter, as Barack Obama dhe as Joe Biden nuk do të ishin progresivë. Nuk do të lejojë që kjo të më shqetësojë mua. Unë e di se ku ndodhem dhe kush i mbështetë qëndrimet e mija. Unë e di se çfarë kam bërë," shprehet Hillari Clinton.

Zonja Clinton shkoi në Nju Hempshër pas fitores së ngushtë ndaj senatorit Sanders në zgjedhjet paraprake në shtetin e Ajovës këtë javë.

Senatori Sanders vazhdon të kryesojë anketat në Nju Hamshër, megjithatë ai nuk po e nënvlerëson kundërshtarin e tij, duke përmendur fitoren e zonjës Clinton në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, gjatë fushatës së saj presidenciale të vitit 2008.

Në anën e republikanëve, miliarderi Donald Trump ka akuzuar senatorin nga Teksasi, Ted Cruz për përdorim të taktikave mashtruese, për të fituar zgjedhjet paraprake në Ajova.

Grindjet mund të ndihmojnë senatorin nga Florida, Marco Rubio, i cili doli i treti në zgjedhjet në Ajova duke marrë 23 përqind të votave dhe po përpiqet të fitojë një mbështetje më të madhe në zgjedhjet paraprake të javës së ardhshme në Nju Hempshër.

Republikanët do të kenë një debat të shtunën. Zgjedhjet paraprake në shtetin verilindor të Nju Hempshërit do të zhvillohen të martën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG