Lidhje

Zgjerohet fushata ajrore amerikane në Irak


Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar sulmet ajrore kundër objektivave të grupit ekstremist Shteti Islamik, duke goditur një pozicion të tyre pranë Bagdadit ku ata kishin hapur zjarr ndaj forcave irakiane të sigurisë.

Më pak se një javë pasi Presidenti Barack Obama u zotua për një fushatë me disa faza për të dobësuar dhe shkatërruar ekstremistët e Shtetit Islamik, avionë luftarakë dhe sulmues amerikanë, u përdorën përtej msioneve humanitare dhe mbrojtjes së personelit amerikan. Dy goditje ajrore vunë në shënjestër pozicione të Shtetit Islamik në Sinjar, në very dhe jugperëndim të Bagdadit në mbështetje të operacioneve ofensive irakiane. Që nga gushti, numri i goditjeve ajrore është rritur në 162.

Eksperti i shkencave politike Rick Brennan i Korporatës RAND, një oficer karriere i ushtrisë amerikane, thotë se është e vështirë që të kryhen operacione të ulëta nga ajri, nëse nuk ka forca amerikane që luftojnë më njësitë irakiane.

"Aktualisht nuk ka plan për të ofruar mbështetjen ajrore të duhur, pa pasur forca speciale amerikane, apo të tjerë që të jenë të angazhuar në përpjekje mbështetjeje nga ajri në terren. Disa përpjekje mund të jenë të realizueshme si në rastin e digës së Mosulit, kur mund të shohësh autokolona të dallueshme qartë, ose paisje që nuk ka dyshim që i takojnë ISIS. Por nëse objektivat nuk janë të lehta për t’u dalluar, do të ishte shumë e vështirë të integroheshin forcat , e ajrit dhe ato tokësore, pa pasur trupa amerikane këmbësorie, si pjesë e forcave të luftimit të koalicionit”.

Rreth 30 vende janë zotuar të bashkohen me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik, që ka marrë nën kontroll pjesë të Irakut dhe Sirisë. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të krijojnë një koalicion ndërkombëtar që të përfshijë goditje ajrore, forca këmbësorie dhe prerjen e fondeve për ekstremistët.

Zoti Obama ka autorizuar gjithashtu goditje ajrore të mundshme kundër objektivave të ISIS në Siri. Por ai ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me presidentin sirian Bashar al-Assad, të cilin Uashingtoni e sheh si një udhëheqës jolegjitim dhe kriminel.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest u pyet nëse presidenti është i gatshëm që të sulmojë mbrojtjen siriane, nëse avionë amerikanë urdhërohen të sulmojnë objektiva të Shtetit Islamik në Siri.

"Gjithmonë ka rregulla angazhimi në luftime, kur ushtarët tanë vihen në rrezikun e luftës, prandaj edhe këtë radhë do të ketë rregulla të tilla të lidhura me urdhra ushtarakë që jep Presidenti. Sigurisht që janë përgatitur planë për vetëmbrojtje, kur bëhet fjalë për këto rregulla angazhimi ushtarak”.


Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se forcat ajrore siriane do të bëheshin objekt goditjeje nëse Damasku përpiqej të pengonte sulmet ajrore amerikane kundër grupit ISIS. Zoti Brennan thotë se nuk ka dyshim që goditje të tilla do të ndërmerren brenda Sirisë.

"Goditjet ajrore në Siri, jo vetëm që do të kenë aftësinë të vënë në shënjestër forca tokësore, por edhe të diktojnë dhe përgjigjen ndaj cdo goditjeje kundërajrore. Pjesa më e vështirë do të jetë kur presidenti të përpiqet që konsolidojë aftësitë e Ushtrisë së Lirë Siriane, që për momentin nuk ekzzistojnë. Do të duhen ndoshta vite për ta bërë këtë forcë të aftë që jo vetëm për përballet me ISIS por edhe me frontin al-Nusra dhe organizata të tjera si milicitë e mbështetura nga Irani dhe Hezbollahun libanez, që janë kundër tyre por edhe regjimit të Assadit”.

Dje në Uashington, Dhoma e Përfaqësuesve filloi debatin për legjislacionin për të dhënë miratimin e Kongresit për armatimin dhe stërvitjen e kryengritësve sirianë. Kjo lëvizje është mirëpritur nga Shtëpia e Bardhë.

Zoti Brennan thotë se do të jetë e vështirë të përcaktohen miqtë nga armiqtë në Siri dhe të stërviten dhe armatosen grupet e duhura, mund të jetë një proces i vështirë, ashtu sic ishte në Afganistan.

XS
SM
MD
LG