Lidhje

Çështja Kavanaugh: akuzuesja kërkon ndërhyrjen e FBI-së


Në SHBA, avokatët e gruas e cila ka akuzuar kandidatin për Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh për një sulm seksual mëse 30 vjet më parë, thonë se ajo dëshiron që FBI të hetojë pretendimin e saj para se të dëshmojë publikisht.

Avokatja e zonjës Christine Blasey Ford i dërgoi një letër kryetarit të komisionit juridik të Senatit, ku thotë se një hetim i plotë nga zyrtarët e zbatimit të ligjit do të siguronte që komisioni të jetë plotësisht i informuar përpara se të zhvillojë ndonjë seancë dëgjimore ose të marrë ndonjë vendim.

Gjyqtari Kavanaugh mohon se ka sulmuar seksualisht zonjën Ford kur ata ishin adoleshentë dhe me sa duket është gati të tregojë versionin e tij para komisionit të Senatit nëse ai mblidhet të hënën e ardhshme, siç ishte parashikuar.

Presidenti Donald Trump shprehu irritim për faktin që demokratët i bënë publike kaq vonë deklaratat e zonjës Ford për kandidatin e tij për Gjykatën e Lartë:

"Ata e dinin se çfarë po bënin, duhet ta kishin bërë këtë shumë kohë më parë, tre muaj më parë, jo tani, por ata e bënë tani. Prandaj dhe nuk dua të bëj lojën e tyre. Shpresoj se gruaja në fjalë do të dalë ta paraqesë versionin e saj publikisht dhe ai versionin e tij para përfaqësuesve të Senatit dhe më pas ata të votojnë,” tha Presidenti Trump.

Disa nga republikanët e zotit Trump po bëjnë presion që zoti Kavanaugh të konfirmohet përpara zgjedhjeve të nëntorit, kur mund të humbasin kontrollin e shumicës në Senat, që tani është 51 me 49.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG