Lidhje

Çështja Kavanaugh, e pasigurt nëse akuzuesja do të dëshmojë


Në SHBA, dëgjesa publike në një komision të Senatit për të shqyrtuar akuzat se kandidati për Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh ka sulmuar dikur seksualisht një vajzë adoleshente është vënë në dyshim nëse do të mbahet apo jo.

Senatori Charles Grassley, kryetari i Komisionit Juridik të Senatit, i cili po shqyrton emërimin e zotit Kavanaugh në gjykatën më të lartë të vendit, tha se stafi i tij ishte përpjekur disa herë të kontaktonte me akuzuesen Christine Blasey Ford, profesore e psikologjisë në Kaliforni, por nuk kishte mundur të konfirmonte nëse ajo do të vinte në seancën e së hënës.

Ligjvënësit republikanë më vonë thanë se zonja Ford mund të dëshmojë ose publikisht ose privatisht.

"Ne do t’ia japim këtë mundësi të hënën," tha udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell.

Zonja Ford e ka akuzuar gjyqtarin Kavanaugh se e ka sulmuar seksualisht më shumë se 30 vjet më parë, kur të dy ishin në shkollë të mesme.

Avokatja e saj ka thënë se zonja Ford do të jetë e hapur për "një procedurë të paanshme" dhe do të dëshmojë.

Por senatori Grassley i tha të martën një intervistuesi se mungesa e përgjigjes nga zonja Ford "ngre çështjen, nëse dëshiron apo jo ajo të vijnë për të dëshmuar në dëgjesën publike".

Presidenti Donald Trump, i cili përzgjodhi zotin Kavanaugh si kandidat për të plotësuar vendin e zbrazët në Gjykatën e Lartë, shprehu mbështetjen e tij ndaj kandidatit, i cili aktualisht është gjykatës i apelit në Uashington.

"Unë jam shumë mbështetës," u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se nuk mendon se Byroja Federale e Hetimeve, e cila prej vitesh ka kontrolluar figurën e zotit Kavanaugh, duhet të hetojë pretendimet e ngritura nga zonja Ford.

ÇËSHTJA KAVANAUGH DHE KAOSI NË PROCESIN E KONFIRMIMIT

Procesi i konfirmimit për kandidatin e Presidentit Donald Trump për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, është përfshirë nga kaosi mes akuzave se zoti Kavanaugh kishte sulmuar seksualisht një vajzë adoleshente, para tre dekadash kur të dy ishin në shkollë të mesme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton nga Senati, ku një votë fillestare në komision që është planifikuar për të enjten, është vënë tani në dyshim megjithë mohimet e forta të zotit Kavanaugh ndaj akuzave.

Gjykatësi që mund të sigurojë një shumicë konservatore për dekada në Gjykatën e Lartë …

“Unë shoh ditën që vjen dhe jo atë që ka kaluar!”

… po mbron të shkuarën e tij pasi Christine Blasey Ford dha një intervistë për gazetën Washington Post, ku e akuzon zotin Kavanaugh se e kishte bllokuar dhe ngacmuar në një festë në vitet 1980, duke thënë se ishte frikësuar për jetën e saj. Me anë të deklaratave, Kavanaugh ka mohuar kategorikisht të ketë bërë një gjë të tillë dhe tha se nuk ishte i pranishëm në atë festë.

“Këto akuza duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh”, tha kreu i demokratëve në senat, Chuck Schumer.

Demokratët dhe disa republikanë, i bënë thirrje Komisionit Juridik të Senatit që ta shtynte votën për zotin Kavanaugh.

Ford e meriton të dëgjohet. Të mbash një votë tani do të ishte një ofendim i rëndë për të gjitha gratë e Amerikës, një plagë e thellë në integritetin e Gjykatës së Lartë”, tha zoti Schumer.

Një senator republikan me peshë thotë se Komisioni Juridik do të mbajë një seancë publike për akuzën. Si Ford ashtu edhe Kavanaugh kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm të flasin para komisionit.

“Kjo duhet të jetë e drejtë dhe e detajuar dhe jo pjesë e një lufte të pistë. Nëse vërtet po përpiqemi të gjejmë të vërtetën, seanca nuk duhet të përdoret për të goditur ata që akuzojnë burra me pushtet”, tha avokatja e zonjës Ford, Debra Katz.

Ndërkohë Presidenti Trump po mbështet kandidatin e tij…

“Gkjykatësi Kavanaugh është një nga njerëzit më të mirë që kam njohur”.

… dhe po e konsidreon akuzën thjesht si një pengesë të vogël në rrugën e konfirmimit.

“Nëse ka një vonesë të vogël, s’ka problem. Nuk besoj se do të zgjasë shumë”.

Ndërkohë disa senatorë republikanë, po kritikojnë kohën se kur po bëhet akuza, që dolën mbi dy muaj pasi zoti Trump emëroi zotin Kavanaugh dhe mbi një javë pasi kandidati përfundoi tre ditë dëshmie të hollësishme në Kongres.

“Tani një akuzë për një gabim para 36 vjetësh, që nga shkolla e mesme, po del në dritë në momentin e fundit në një mënyrë të parregullt”, tha kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Demokratja më e lartë në Komision, senatorja Dianne Feinstein, e solli në dritë çështjen për herë të parë javën e kaluar, kur i kërkoi FBI-së një document ku detajoheshin akuzat. Senatorja Feinstein nuk i bëri zotit Kavanaugh pyetje për ndonjë sjellje të pahijshme seksuale gjatë seancave të konfirmimit, një javë më herët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG