Lidhje

Sistemi i mbrojtjes nga raketat vëzhgon Sirinë


Gjashtë bateri të sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat, patriot, me mbështetjen e NATO-s janë vendosur në Turqinë juglindore për të mbrojtur vendin ndaj sulmeve të mundshme ajrore nga Siria. Njëra nga bateritë është instaluar pranë qytetit Gaziantep.

Këta ushtarë amerikanë po mbikqyrin raketat Patriot. Që nga janari, raketat janë vendosur në një bazë ushtarake turke jashtë qytetit Gaziantep. Qyteti ndodhet 50 kilometra nga Siria, ku lufta e përgjakshme civile ka vrarë të paktën 70 mijë njerëz. Forcat e qeverisë siriane qëllojnë kryesisht kundër rebelëve, të cilët mbështeten nga Turqia. Por disa herë predhat siriane kanë rënë në Turqi dhe në një rast kanë vrarë pesë njerëz.

Si rezultat, qeveria e Turqisë i kërkoi NATO-s vendosjen e sistemit të mbrojtjes nga raketat. Komandanti Charles Branson thotë se pas zbulimit të kërcënimit nga radarët, sistemi dërgon informacionin te komandantët e NATO-s të cilët brenda disa sekondave vendosin nëse do të përgjigjen.

“Sistemi luan rolin e një përcaktuesi, ose filtruesi. Në qoftë se sinjali është pozitiv, atëherë kemi të bëjmë me një armik. Nëse sinjali është negativ atëherë kemi të bëjmë me veprime miqësore. Këto sinjale janë përcaktuese. Por, sinjali pastaj u dërgohet sistemit të raketave me udhëzime specifike për të qëlluar, ose jo”.
Dy sistemet amerikane të raketave këtu mbështeten me nga 575 ushtarë. Secila bateri është e pajisur me gjashtë raketahedhës dhe me një total prej 48 raketash.

Gjermania dhe Hollanda kanë dërguar nga dy bateri të ngjashme në Turqi. NATO thotë se raketat janë vetëm për qëllime mbrojtëse. Deri tani ato nuk janë përdorur.
Kapiteni Leslie Dembeck megjithatë, thotë se skuadra e tij duhet jetë në gjendje të lartë gatishmërie.
“Kjo na jep mundësinë të kalojmë në fazën e stërvitjeve, ku ne mund të ndërtojmë një skenar simulimi në bazë të të cilit komunikojmë me kërcënimet”.
Togerja Mary Jocelyn thotë se megjithëse anëtarët e skuadrës janë larg atdheut, ata janë të angazhuar për këtë mision.

“Jemi të gatshëm të përdorim përvojën tonë për të ndihmuar mikun tonë kur ka nevojë për ndihmë dhe të qëndrojmë pranë aleatit tonë turk”.
Ushtarët nuk e dinë se sa do të zgjasë dislokimi i tyre në këtë vend. Rebelët në Siri po bëjnë thirrje për vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit në Siri, por në mungesë të saj, raketat janë linja e parë e mbrojtjes kufitare.
XS
SM
MD
LG