Lidhje

Tensionet SHBA - Afganistan kërcënojnë transferimin e rregullt të pushtetit


Afghan protesters shout anti U.S. slogans
Afghan protesters shout anti U.S. slogans

Me thirrjet “vdekje Amerikës”, qindra protestues shkuan kohët e fundit nga provinca Wardak në kryeqytetin afgan Kabul, duke kërkuar tërheqjen e trupave amerikane.

Tensionet mes Presidentit afgan, Hamid Karzai dhe zyrtarëve ushtarakë amerikanë po kërcënojnë transferimin e rregullt të përgjegjësive të sigurimit në prag të tërheqjes vitin e ardhshëm të trupave të NATO-s dhe atyre amerikane nga Afganistani.

Me thirrjet “vdekje Amerikës”, qindra protestues shkuan kohët e fundit nga provinca Wardak në kryeqytetin afgan Kabul, duke kërkuar tërheqjen e trupave amerikane.

Presidenti Hamid Karzai dha urdhër që forcat speciale amerikane të largoheshin nga kjo provincë pas akuzave se afganët, që punonin për ta, kishin torturuar banorë të zonës. Khalilullah Ibrahimkhail është banor i provincës Wardak.

“Jemi mbledhur këtu për të protestuar kundër forcave speciale në Wardak, sepse ato hyjnë në shtëpitë e banorëve dhe torturojnë njerëz të pafajshëm”.

Udhëheqësit e ushtrisë amerikane i mohuan akuzat dhe forcat speciale qëndruan në Wardak.

Kjo provincë është afër Kabulit dhe siguria atje shikohet me rëndësi që të parandalohet hyrja e kryengritësve në kryeqytet.

Një marrëveshje u njoftua këtë javë për tërheqjen graduale të ushtarëve amerikanë nga provinca Wardak.

Më parë, një debat tjetër shpërtheu pasi Presidenti Karzai akuzoi Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim me talibanët.

“Çdo ditë zhvillohen bisedime mes talibanëve, amerikanëve dhe të huajve nga vende evropiane dhe të Gjirit Persik”.

Këto akuza ndërlikuan udhëtimin e kohëve të fundit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel në Afganistan.

Një konferencë e përbashkët shtypi me zotin Karzai si dhe kalimi i planifikuar i administrimit të burgut në Bagram u anuluan papritur.
Sekretari Hagel tha se çdo lloj bisedimesh për paqe do të kryesohen nga afganët.

“I thashë presidentit Karzai se nuk është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime të njëanëshme me talibanët për të negociuar ndonjë marrëveshje”.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, që synonin fillimin e procesit të paqes në Afganistan, u pezulluan para një viti.
Analistë, që kanë udhëtuar kohët e fundit në Afganistan, thonë se nuk kanë shumë besim që negociata të tilla do të sjellin një ripajtim domethënës.

Një prej tyre është Anthony Cordesman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Ekziston një shqetësim i madh se bisedimet e paqes mund të shndërohen në diçka boshe dhe do të përfaqësojnë vazhdimin e konfliktit me forma të tjera”.

Më shumë se 350 mijë trupa afgane janë të dislokuara në gjithë vendin, por ende ekzistojnë dyshime nëse ata mund të mbrojnë Afganistanin.
Zgjedhjet janë planifikuar për vitin e ardhshëm, por siguria dhe transparenca mbeten çështje shqetësuese.

“Është tashmë mëse e qartë se kemi përpara një periudhë me tensione të thella dhe me këdo që biseduam, kuptuam se ishin të shqetësuar, madje edhe të frikësuar nga ajo që mund të ndodhë”,

Aktualisht në Afganistan ka rreth 66 mijë trupa amerikane dhe ky numër pritet të bjerë në 50 për qind deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar rreth numrit të forcës amerikane, që do të mbetet në Afganistan pas tërheqjes së pjesës më të madhe të këtyre trupave deri në fund të vitit 2014.
XS
SM
MD
LG